Ish këshilltari i Veselit dhe profesori i filozofisë, Blerim Latifi, duket se vazhdon të ruajë irritimin me disa nga deputetët e PDK-së pas humbjes së garës së brendshme partiake dhe dështimit për t’u bërë deputet në zgjedhjet e 6 tetorit.
Latifi ka deklaruar se shkaku për fitoren e Rugovës pas lufte ishte “arroganca e çlirimtarëve pas lufte” ndërsa shkaku për fitoren e Kurtit ishte “korrupsioni i komandantëve pas pavarësisë”.
Ai ka kritikuar opozitarizmin e djeshëm nga PDK-ja, që vazhdonte të përmendte qëndrimet e shkelura nga lideri i Vetëvendosjes, shkruan Periskopi.
“Lufta politike kundër tij nuk mund të bëhet me mjete të vjetra.” – thotë Latifi duke porositur më pas Veselin që të harrojë UÇK-në.
Si arsye për këtë ai ka përmendur ndërrimin e gjeneratave dhe faktin që “UÇK-ja” për shumë njerëz mund të përfaqësojë vetëm “një tregim nga e kaluara e baballarëve të tyre”.
Por, në fund Latifi ruan këshillën më të vlefshme për Veseli: Edhe një gjë tjetër: mos i bëni favore Kurtit, duke nxjerrë në foltorën e Kuvendit njerëz që kanë probleme elementare me shkrim leximin. Ata janë dhuratë për të.
Më poshtë e keni statusin e plotë të Blerim Latifit
Mund të bëjmë analiza pafund. Të gjejmë shkaqe pafund. Por, dy gjëra janë vetevidente: Arroganca e çlirimtarëve pas luftës, e solli Rugovën në pushtet, ndërsa korrupsioni i komandantëve pas pavarësisë e solli në pushtet Albin Kurtin. Lufta politike kundër tij nuk mund të bëhet me mjete të vjetra.
Thirrja në UÇK nuk kryen më punë. Për tri arsye: e para, UÇK tash është vetëm histori. E dyta, në këto 20 vite pasluftës është abuzuar tej mase me emrin e saj. E treta, tanimë janë rritur disa gjenerata për të cilat UÇK-ja përfaqëson vetëm një tregim të baballarëve nga e kaluara e tyre. Lavdia e të kaluarës nuk mund t’i justifikoj gabimet e të tashmes dhe as të zëvendësoj shpresat për të ardhmen.
Edhe një gjë tjetër : mos i bëni favore Kurtit, duke nxjerrë në foltorën e Kuvendit njerëz që kanë probleme elementare me shkrim leximin. Ata janë dhuratë për të.