Një shtetas 28-vjeçar nga Norvegjia është vënë në pranga nga Policia në Fier, nën dyshimet për përfshirje në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve, i dyshuari është kapur në flagrancë, ndërsa qëndronte përkohësisht në një banesë me qira në fshatin Sheqishte, në zonën e Patosit.
Gjatë kontrollit ndaj tij dhe automjetit që drejtonte, i cili gjithashtu ishte marrë me qira, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të dyshuar kokaine, e cila dyshohet se ishte e destinuar për shitje.
Rasti është proceduar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të tij vijojnë.