Rreth orës 15:45, një person është arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë masa të shpejta për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit.
Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka ngritur pika statike kontrolli në gjithë veriun e vendit dhe ka filluar kontrollin fizik të zonës përreth objektit të paraburgimit. Në operacion janë përfshirë edhe njësi të specializuara, përfshirë Njësinë Policore me qen K9, raporton lajmi.net.
“Jemi ende në kërkim të personit në fjalë dhe jemi maksimalisht të angazhuar për të siguruar kapjen e tij sa më parë,” thuhet në njoftim.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim gjatë zhvillimit të operacionit dhe të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e të arratisurit duke telefonuar në numrin emergjent 192 ose duke u paraqitur në stacionin më të afërt policor.
Detajet rreth identitetit të personit të arratisur dhe veprës për të cilën kërkohet janë të përfshira në dokumentin e bashkangjitur nga autoritetet. Ndërkohë, Shërbimi Korrektues ka publikuar një komunikatë për media./Lajmi.net/