Armand Duka zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për një mandat katër vjeçar.
Sot, në Romë, u mbajt Kongresi i 43-të i UEFA-s dhe ndër të nominuarit për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ishte edhe Duka, shkruan Gazeta Express.
Duka arriti të bëhet shqiptari i parë që merr një pozitë kaq të lartë në kuadër të këtij organi qeverisës të futbollit evropian. Ai e fitoi këtë pozitë, pasi i mori plot 36 vota nga 55 të mundshme.
Duka e fillon mandatin e tij katërvjeçar menjëherë pas përfundimit të Kongresit. Këto janë disa nga përgjegjësitë që Duka do t’i ketë në rolin e tij të ri:
- Kontrollimi i përgjithshëm i UEFA-s dhe lëshimi i udhëzimeve të nevojshme;
- Përcaktimi i strukturës organizative;
- Mbikëqyrja e transaksioneve financiare;
- Emërimi i pesë anëtarëve në Komitetin për Qeverisje dhe Pajtim në UEFA, si dhe lëshimi i udhëzimeve për punën e tyre;
- Emërimi i sekretarit të përgjithshëm dhe zëvendëssekretarit , sipas propozimit të presidentit të UEFA-s;
- Shkarkimi i i sekretarit të përgjithshëm dhe zëvendëssekretarit , sipas propozimit të presidentit të UEFA-s ose sipas vendimit të marrë nga të paktën 2/3 e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s;
- Mbikëqyrja e përgjithshme e administratës të UEFA-s, përfshirë këtu punën e sekretarit të përgjithshëm dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm, veçanërisht sa i përket monitorimit të ligjeve, statuteve, rregullave dhe urdhërave të lëshuar nga UEFA;
- Përmbledhja e një raporti të shkruar për ta prezantuar në Kongresin e Zakonshëm të UEFA-s;
- Ekzaminimi i raportit të aministratës në Kongresin e Zakonshëm të UEFA-s
Komiteti Ekzekutiv është organi suprem ekzekutiv i UEFA-s. Ai përbëhet nga presidenti i UEFA-s, 16 anëtarë të zgjedhur nga Kongresi, dy anëtarë të zgjedhur nga Shoqata e Klubeve Evropiane dhe një anëtar nga Ligat Evropiane.

Lexo edheFutbollisti i zhdukur Sala thoshte: Vamos Albania! (FOTO)
Zakonisht, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s takohet një herë çdo dy muaj dhe takimi udhëhiqet nga presidenti i UEFA-s. Vendimet e marra nga ky Komitet hyjnë menjëherë në fuqi, përveç nëse vetë anëtarët vendosin që të mos ndodhë kjo gjë.
Duka nuk do të ketë të drejtë të marrë pjesë në asnjë proces vendimmarrës që e përfshin Federatën Shqiptare të Futbollit, klubet e Shqipërisë apo ligat e futbollit shqiptar pasi që kjo gjë paraqet konflikt interesi. /Gazeta Express/














