Apeli vendos në favor të Gazmend Halilajt, MPB detyrohet ta kthejë në Polici dhe t’ia kompensojë rreth 50 mijë euro

Gjykata e Apelit ka marrë vendim në favor të Gazmend Halilajt, të cilit më 2015 i ishte ndërprerë kontrata e punës si udhëheqës i Departamentit të Inteligjencës dhe Analizës së Krimeve në Stacionin Policor në Drenas, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, Ministria e Punëve të Brendshme detyrohet ta kthejë Halilajn në pozitën e mëparshme dhe të njëjtit t’ia kompensojë pagat nga viti 2015.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar vetë Halilaj, i cili tha se në aktgjykimin e Apelit thuhet se ai mund të kthehet në Polici nga 13 dhjetori, ndërsa sa i përket dëmit, do të analizohet nga ekspertët se sa para duhet t’ia kthejë shteti atij.

Lexo edheDitëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari
Mirëpo, ai thotë se nga llogaritjet që ka bërë vetë, MPB do t’ia kthejë rreth 50 mijë euro.
“Po, unë e kam vendimin më datën 13 dhjetor me u kthy me e udhëheq Departamentin e Inteligjencës dhe Analizën e Krimeve në Stacionin Policor në Drenas. Kështu sa i përket kompensimit të dëmeve kemi me e këqyrë nëse kom punu unë diku në shtetin e Kosovës. Por unë nuk kam marrë pagë nga shteti i Kosovës, përjashtimisht në ndonjë rast, kur Prokuroria më ka angazhuar. Diku rreth 50 mijë euro Policia m’i ka borxh”, tha ai për Sinjalin./GazetaSinjali/














