Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka nxjerr sot në mëngjes dekretin për shpëndarjen e Kuvendit. E në konferencë për media Osmani ka folur dhe për amandamentet e propozuara për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga qytetarët. Osmani ka bërë të qartë se ato amandamente nuk do të vlenin për presidentin që do të zgjidhej tani, por për Presidentin që do të zgjidhej pas 5 vitesh.
“Dje kam dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët. E kuptoj shumë mirë që kjo ka ngritur pyetje. Në një klimë politike të tensionuar, çdo veprim shihet me dyshim dhe çdo vendim interpretohet përtej asaj që mund të jetë e vërtetë. Kjo është natyra e politikës. Por dua të jem e qartë me qytetarët e Republikës së Kosovës. Këto amendamente nuk do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të duhej të zgjidhej deri mbrëmë, por për pasardhësin e menjëhershëm të mandatit tim. Arsyeja është e thjeshtë, vetë amendamentet parashohin që procedurat për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit nga populli duhet të fillojnë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Pra, gjashtë muaj më herët. Kjo do të thotë se edhe sikur këto amendamente të miratoheshin mbrëmë, nuk do të ndryshonin asgjë sa i përket zgjedhjes së pasardhësit tim. Ska të bëjë fare me mandatin tim, sepse mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli do të krijohet vetëm pas pesë vitesh dhe jo tani. S’ka pas fare të bëjë me mundësinë që unë të kandidoj në zgjedhje të reja tani”, tha Osmani./Indeksonline/