Akuza të reja janë bërë publike ndaj Prince Andrew, lidhur me pretendime për masazhe private në Buckingham Palace, si dhe përdorimin e mundshëm të fondeve publike gjatë kohës kur shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.
Masazhatoreja Monique Giannelloni ka deklaruar për mediat britanike se në qershor të vitit 2000 ishte ftuar në Pallat për t’i bërë masazh ish-Dukës së Jorkut. Sipas saj, ajo ishte prezantuar me Andrew nga Ghislaine Maxwell, e dënuar më vonë për trafikim seksual. Giannelloni pretendon se pagesa për shërbimin prej 75 paundësh ishte kryer nga një llogari e Familjes Mbretërore.
Në deklaratat e saj, ajo pohon se gjatë takimit Andrew kishte dalë nga banjoja pa rroba para fillimit të masazhit, duke e vendosur atë në një situatë të sikletshme. Pretendimet janë raportuar fillimisht nga MailOnline, ndërsa Pallati nuk ka dhënë koment zyrtar mbi këto akuza.