Aksident i rëndë në Klinë – vdes një person, nëntë të tjerë mbesin të lënduar

Një person ka vdekur dhe nëntë të tjerë kanë mbetur të lënduar, si pasojë e një aksidenti ndërmjet dy veturave dhe një autobusi në Klinë.
Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në rrugën “Sadik Rama” në Klinë, ka bërë të ditur policia në një komunikatë për media.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, njësitë e zjarrfikësve, gjithashtu edhe prokurori i shtetit, dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e një personi të përfshirë në këtë aksident”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se të lënduarit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, për tretman mjekësor.

Lexo edheKëto komuna prijnë me numrin më të madh të të vaksinuarve
“Të lënduarit me auto-ambulancë janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë për tretman mjekësorë. Njëri nga të lënduarit për shkake të natyrës së lëndimeve është dërguar për SHSKUK në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq është bërë e ditur se trupi i pajetë i viktimës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obfuksion.
“Me urdhër të Prokurorit shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për Obduksion. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit e NJRKRR DRP Pejë”, thuhet në njoftimin e policisë.














