Melania Trump pushton vëmendjen globale, dhe këtë herë jo për ndonjë look të ri apo event mondan, por ndikim konkret në politikën e jashtme amerikane. Pasi presidenti Donald Trump deklaroi se bashkëshortja e kishte shtyrë të rivlerësonte Putinin, rrjetet sociale në Ukrainë u mbushën me postime entuziaste mbi Melanian, mes memeve ironike e gjesteve dashamirëse. Shumë e portretizojnë si një lloj agjente të fshehtë në mision kundër Moskës, duke e pagëzuar si “Agjentja Trumpenko”.
Në një prej imazheve më virale e tregon zonjën e parë me një kapelë në kokë dhe një xhaketë me simbolin e tridentit ukrainas…Në një meme tjetër Melania shfaqet pas krahëve të së shoqit teksa firmos një dekret në zyrën ovale.
“Melania më bëri të hapë sytë. Kthehem në shtëpi dhe i them. Kam folur me Putinin, ishte fantastik. Dhe ajo më thotë: Vërtet? Ndërkohë kanë bombarduar një tjetër qytet”, tha Trump.
Kjo frazë e bashkëshortes së tij, sipas presidentit e kishte shtyrë te reflektonte mbi sjelljen e liderit rus. Deklarata ka nxitur diskutime si në frontin politik ashtu edhe në media, lidhur me ndikimin në rritje të zonjës së parë te zgjedhjet e Trump.
E lindur në Slloveni dhe e rritur në ish-Jugosllavi, bashkëshortja e Trump ka treguar në disa raste vëmendje të veçantë për vuajtjet e civilëve në konflikte. Në 2022 ajo kishte ftuar ndjekësit e saj të mbështesnin Kryqin e Kuq në mbrojtjen e ukrainasve në luftë, të cilën e quante të tmerrshme. Sipas disa vëzhguesve, backgroundi dhe familjariteti me realitetin në Europën Lindore mund të kenë pasur rol jo pak të rëndësishëm, në ndryshimin e linjës së presidentit amerikan. (A2 Televizion)