Afrohen LDK e VV në Prishtinë

Komisioni i aksionarëve në Komunën e Prishtinës i përbërë nga Genc Bashota, drejtor i Drejtorisë për Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në qeverinë e Shpend Ahmetit dhe Hetem Kupina, asamblist nga radhët e LDK-së, në një mbledhje urgjente e kanë shkarkuar Bordin e “Trafiku urban” në përbërje prej Avdi Feri, Fellanza Pula, dhe Bashkim Ibrahimi. Anëtarë e Komisionit të Aksionarëve është edhe asamblistja e PDK-së në Kuvendin e Prishtinës, Lirie Avdiu.
Ajo nuk është pajtuar me vendimin e dy kolegëve të sajë, për të cilët ka thënë se kanë vepruar ‘pas shpine’.
“Unë nuk kam qenë e pranishme në atë takim meqë jam në një udhëtim të planifikuar kohë më parë. Ndërkaq, kolegët e mi të nderuar z. Bashota dhe z. Kupina në momentin e dakordimit mes tyre kanë thirr një takim, aty për aty të pa lajmëruar paraprakisht dhe ketë e kanë bërë pasi që e kanë vërejtur mungesën time në vazhdim të seancës së Kuvendit”, tha asamblistja e PDK-së, Lirie Avdiu për lajmi.net.
Avdiu mendon se dakordimi në mes të LDK e VV është i interesave politik.
“Ky takim i thirrur në atë mënyre në emër te urgjencës për një gjendje që është ashtu siç është prej muajsh, pra, që punëtoret krejt jashtë çdo rregulli nuk e njohin Bordin e zgjedhur në mënyre krejt të rregullt nga Komisioni komunal i Aksionareve në përbërje të plotë dhe nuk e lëne të hynë brenda ndërkohe që nuk njohin as vendimet e Bordit dhe rrjedhimisht krijohet një gjendje kaotike në kompani, është një jo korrektësi nga ana e tyre në raport me mua që në çdo rast kam treguar gatishmëri për bashkëpunim dhe zgjidhje të problemeve në ndërmarrje. Siç po shihet, qëllimi nuk ka qenë të zgjidhen problemet por që të merret një vendim i një anshëm, politik në dakordance mes dy palëve VV-LDK”, shtoi tutje Avdiu.
Kryetari i Bordit të deritashëm të kësaj Ndërmarrje, Avdi Feri, thotë se do të bënë ankesë në Gjykatë ndaj vendimit të Komisioni të Aksionarëve, ngase sipas tij, nuk është i bazuar.
Lexo edheKëta janë kandidatët për deputetë të AKR’së
“Ne u kemi shkruar shkresa të shumta dhe çdo herë e kemi njoftuar Aksionarin për veprimet tona. Pra, shkresën ua kemi dërguar, Shyqeri Spahiut, Lirie Avdiut e Genc Bashotës. Pastaj Genc Bashota ishte tërhequr nga Aksionari me vendim të kryetarit Shpend Ahmeti dhe zoti Spahiu ishte larguar nga asambleja, ku para pakë ditësh ka ardhur zoti Kupina në vend të kolegut të tij Spahiu. Vendimi për shkarkimin po shihet se është politik. Por, ka shumë gjasë që Dardani dhe Shpendi i kanë premtuar ndonjë gjë Hetem Kupinës, se unë e njoh atë, kemi qenë bashkë asamblistë në Prishtinë, është njëri i ligë. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës lidhur me vendimin për shkaktimit. Siç thash, i kemi të gjitha shkresat që i kemi bërë në mënyrë zyrtare me palët në bashkëpunim”, tha Avdiu.
Lajmi.net ka provuar të bisedojë edhe me kryetarin e Aksionarëve, Hetem Kupina, por telefoni i tij nuk ka pasur qasje.
Ndërkaq, në muajin shkurt të vitit 2017, Bordi i Drejtorëve të “Trafiku Urban”, ka marrë vendim për shkarkim të Kryeshefit Ekzekutiv Halil Mustafa me arsyetimin se ka dështuar ta ushtrojë këtë funksion si duhet. Me rastin e këtij shkarkimi, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje ka vendosur që në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të vendoset përkohësisht Hafir Hamiti. Por, punëtorët nuk po e pranojnë këtë drejtor dhe as Komuna e Prishtinës, duke konsideruar vendimin e Bordit si jo legjitim, për faktin se nuk e njohin as Bordin, ndërsa Halil Mustafa po vazhdonte të shkonte në punë dhe ende është i vendosur në zyrën e Kryshefit Ekzutiv në NP “Trafiku Urban”.
Kujtojmë, se para disa ditësh, para se të bije Qeveria e Kosovës, shefi i Grupit Parlamentare në Prishtinë, Agim Gashi dhe shefi i Grupit të PDK-së, Lirak Çelaj kishin shkuar së bashku për të parë gjendjen në “Trafikun Urban”, por nuk ishin lejuar të futën brenda. Kryetari Shpend Ahmneti, kishte thënë se Çelaj dhe Gashi kanë tentuar të hyjnë me dhunë në Trafikun Urban për të shantazhuar siç ka thënë ai projektin e rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrje.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë zhvilluar bisedime edhe për një bashkim të forcave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit, por që nuk është arritur një marrëveshje. Megjithatë, të partitë e kanë lënë të hapur mundësinë për një bashkëpunim pas zgjedhjeve.














