Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sot rreshterin Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e rënies së tij në detyrë, gjatë sulmit terrorist të ndodhur në Banjskë më 24 shtator 2023.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku ka vlerësuar lart sakrificën e Bunjakut, duke e cilësuar si shembull të përkushtimit të pashoq për shtetin dhe lirinë e vendit, raporton lajmi.net
“Sot, shënohen dy vite nga rënia në detyrë e policit të Republikës së Kosovës, heroit, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën duke mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë,” ka shkruar Abdixhiku.
Në mesazhin e tij, kreu i LDK-së ka kujtuar rrethanat në të cilat Bunjaku u vra, duke theksuar se përgjegjësia për këtë akt i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë.
“Afrim Bunjaku, u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.”
Abdixhiku theksoi se Bunjaku ishte më shumë sesa një pjesëtar i policisë.
“Por Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik.”
Ai shtoi se sakrifica e tij duhet të shërbejë si kujtesë për sfidat me të cilat përballet Kosova, si dhe për nevojën për drejtësi.
“Sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim. Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë.”
Në fund të mesazhit, Abdixhiku i dha nderimet e tij të përjetshme veprës së rreshterit Bunjaku.
“Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi.
Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”/Lajmi.net/