Senati i SHBA-së miratoi të martën një rezolutë që e udhëzon presidentin t’i tërheqë forcat ushtarake nga konflikti me Iranin, një qortim i rëndësishëm ndaj Donald Trumpit dhe një mesazh i fortë se lufta nuk gëzon mbështetje në Kongres.
Masa u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve më herët këtë muaj. Por, duke qenë se është ajo që njihet si rezolutë e përbashkët (concurrent resolution), ajo nuk kërkon nënshkrimin e presidentit dhe, sipas përkufizimit, nuk ka fuqi ligjore detyruese.
Trump e quajti votimin e Senatit për kufizimin e kompetencave të tij në luftën me Iranin “të keqkohëzuar dhe pa kuptim” dhe kritikoi ashpër anëtarët e partisë së tij që votuan në favor të rezolutës.
CNN shkruan se çfarë duhet të dini:
Lëvizjet diplomatike: Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, po viziton rajonin e Gjirit për t’u “siguruar që pikëpamjet e tyre të merren parasysh” ndërsa SHBA-ja ecën përpara me negociatat me Iranin, tha ai pas mbërritjes dje në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai vazhdon të përpiqet t’i ndajë bisedimet Izrael-Liban nga negociatat SHBA-Iran, edhe pse Teherani ka këmbëngulur vazhdimisht se këto çështje janë të ndërlidhura.
Bisedimet Izrael-Liban: Izraeli dhe Libani po zhvillojnë një rund të pestë bisedimesh në Washington për t’i dhënë fund luftimeve vdekjeprurëse mes forcave izraelite dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani. Ambasadori izraelit në SHBA tha në fillim të bisedimeve dje se Izraeli dhe Libani “po shkojnë drejt një katastrofe”, duke shtuar se “roli i Iranit është të largohet nga Libani”. Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, tha se Bejruti “nuk do të pranojë asgjë më pak se fundin e pushtimit izraelit” në jug të vendit.
Fitorja e Iranit për raketat: Presidenti Masoud Pezeshkian tha se raketat e Iranit nuk janë pjesë e marrëveshjes së tij me SHBA-në dhe nuk do të jenë kurrë. Trump më parë e kishte bërë kufizimin e programit raketor iranian një nga arsyet kryesore për operacionet ushtarake amerikane, por qëndrimi i tij ndryshoi gjatë negociatave diplomatike.
Evakuimi i Gjirit: Agjencia detare e OKB-së po nis një plan evakuimi për më shumë se 11.000 detarë të bllokuar në rajon. Zhbllokimi i grumbullimit të anijeve dhe personelit të mbetur do të kryhet në koordinim me Iranin, Omanin, shtete të tjera bregdetare, Shtetet e Bashkuara dhe industrinë detare.
Inspektimet bërthamore: Trump këmbënguli sërish se Irani ka rënë dakord për më shumë inspektime bërthamore nga OKB-ja, duke kundërshtuar pretendimin e Iranit se nuk është caktuar asnjë vizitë për inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). IAEA inspektoi një objekt bërthamor aktiv iranian në fillim të qershorit, por ka kaluar afërsisht një vit që kur agjencia ka pasur qasje në ndonjë nga objektet bërthamore të dëmtuara gjatë luftës së fundit SHBA-Izrael kundër Iranit.
Shkeljet e armëpushimit: Hezbollahu e ka akuzuar Izraelin për një “shkelje flagrante” të planit 14-pikësh të armëpushimit SHBA-Iran, pasi Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se sulmet izraelite vranë dy persona të martën.