Një ngjarje e rëndë ka tronditur Drenasin dhe mbarë Kosovën, pasi dy të rinj nga Kosova humbën jetën sot në detin e Shëngjinit, në Shqipëri. Njëri prej viktimave është nga fshati Gllobar i Drenasit, përcjellë Drenica Press.
Pas lajmit tragjik, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Binaku, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit.
“Në këto momente të rënda dhimbjeje, ndajmë pikëllimin me familjen Binaku dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe e të parakohshme”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.
Lladrovci theksoi se kjo tragjedi ka prekur jo vetëm familjen e viktimës, por edhe gjithë komunën e Drenasit, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen institucionale për familjen në këto çaste të vështira.
Në emër të Komunës së Drenasit dhe qytetarëve të saj, ai shprehu ngushëllimet më të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të ndjerin.
- Advertisement -