Shfaqja “Në hijen e një peme u ula dhe qava”, e cila deri tani ka marrë kritika të shkëlqyera ndërkombëtare, do të jepet në Teatrin Black Box në Oslo më 12 dhe 13 qershor 2026, nga ora 19:00, si pjesë e festivalit prestigjioz “Heddadagene”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore në Norvegji.
Në shfaqje luajnë aktorët e mirënjohur shqiptarë Arben Bajraktaraj, Ilire Vinca, Amernis Nokshiqi dhe një ansambël i gjerë artistësh nga Kosova dhe Afrika e Jugut. Regjinë e shfaqjes e ka bërë Blerta Neziraj, ndërsa tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj.
Shfaqja ka në fokus aksionin e pajtimit të gjaqeve në Kosovë në vitin 1990, si dhe komisionin për të vërtetën dhe pajtimin në Afrikën e Jugut në vitin 1995.
Ajo që nisi si një nismë e vogël pajtimi në Kosovë u shndërrua shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Në tubime publike, nëna, baballarë dhe anëtarë të familjeve ngjiteshin në skenë para mijëra njerëzve dhe falnin gjakun e të afërmve të tyre. Gjatë këtij procesi u mbajtën dhjetëra tubime pajtimi dhe u falën 1,275 gjaqe dhe ngatërresa. Mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në tubimin përmbyllës të pajtimit në vendin e quajtur Verrat e Llukës.
Mediat ndërkombëtare e kanë vlerësuar lart shfaqjen. Deutschlandfunk Kultur nga Gjermania e përshkroi kështu: “Një produksion i rëndësishëm… Energjia dhe humori janë të shkëlqyera… Në “Në hijen e një peme u ula dhe qava”, aktorët nga të dy vendet ndajnë skenën, por nuk ka konsensus se kush ka bërë sakrificat më të mëdha”.
Pas prezantimit në Afrikën e Jugut në prill 2026, shfaqja do të vazhdojë turneun e saj evropian gjatë vitit 2026 dhe do të prezantohet në New York në mars 2027.