BallinaLajmeÇfarë do të nënkuptonte Xhandarmëria për sigurinë në veri?

Çfarë do të nënkuptonte Xhandarmëria për sigurinë në veri?

Të ngjajshme

CIA nderon oficerët e rënë

Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së (CIA) mbajti të...

Si të parandalojmë kariesin dhe infeksionet e dhëmbëve

Sëmundjet e dhëmbëve dhe të mishrave të dhëmbëve mund...

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë ndërmarrë hapat e parë drejt themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës. Ekspertët e sigurisë e shohin si vendim strategjik themelimin e një strukture të tillë sigurie, që do të mund të kishte kompetenca në ruajtjen e kufirit me Serbinë.

Sveçla shkroi në rrjetet sociale se ka nënshkruar themelimin e grupit punues, që sipas tij, do të bëjë analizimin dhe propozimin e modaliteteteve për funksionimin e Xhandarmërisë, si Agjencion i MPB-së.

“Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufijve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Sveçlës, krijimi i Xhandarmërisë do të forcojë kapacitetet shtetërore për parandalimin, menaxhimin dhe neutralizimin e kërcënimeve “që cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë.

Serbia reagoi për vendimin e Kosovës, duke thënë se po bëhet “për të fituar poenë politikë” nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjet e qershorit.

Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe “nuk ka bazë e as hapësirë” për Kurtin që të formojë “ndonjë njësit paramilitar apo parapolicor jashtë marrëveshjeve ekzistuese, aq më pak t’i disolokojë në zonat në veri të Kosovës”.

“KFOR është forca e vetme legjitime e armatosur në Kosovë, përgjegjëse për kontrollimin dhe patrullimin përgjatë vijës administrative, dhe Kurti këtë e di shumë mirë dhe nuk mund ta ndryshojë realitetin me imazhe dhe premtime në fushatën zgjedhore”, u shtua në njoftim.

Vrajolli: Xhandarmëria do të mund të ruante kufirin me Serbinë

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, e vlerëson si vendim strategjik nismën për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, që sipas tij do të mund të merrte kompetenca për ruajtjen e kufirit me Serbinë, por edhe veprimeve të tjera në veriun e banuar me shumicë serbe.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Vrajolli thotë se Kosova duhet të përgatitet për çdo ndryshim të rolit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ndonëse beson se ky mision do të qëndrojë për vite apo edhe një dekadë në vend.

Në këtë drejtim, ai kujton se shteti dhe KFOR-i kanë një marrëveshje që Forca e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – të mos shkojë në veri pa pëlqimin e misionit paqeruajtës, duke thënë se Xhandarmëria do të mund të plotësonte këtë boshllëk.

“Përderisa është një marrëveshje xhentlëmene mes KFOR-it dhe FSK-së që të mos jetë shumë prezente në pjesën veriore, Xhandarmëria do ta krijonte një strukturë të re, e cila nuk është pjesë e kësaj marrëveshje xhentlëmene”, thotë ai.

“Në njëfarë forme do të mundësonte që rolet e kontrollit kufitar dhe veprimeve të tjera që i bëjnë KFOR-i të jenë të përbashkëta me njësi që mund të jenë në kuadër të Policisë, apo në kuadër të MPB-së, e që do të fillonte sa më parë procesin e krijimit të kapaciteteve vendore dhe njohurisë se si të ballafaqohemi me kërcënime bashkërisht me KFOR-in në veri dhe pjesë të tjera të Kosovës”, shprehet Vrajolli.

Dërgimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga KFOR-i lidhur me paralajmërimin për themelimin e Xhandarmërisë dhe si e sheh misioni këtë vendim, dhe është në pritje të përgjigjes.

KFOR-i, që u vendos në vend më 1999, është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX. Megjithatë, misioni i NATO-s ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Vrajolli thotë se ndonëse nuk dihet ende roli që do të ketë Xhandarmëria, ai vlerëson se nëse do të jetë si një degë e Policisë së Kosovës, atëherë do të pritej që kompetencat e Policisë Kufitare të barteshin te kjo strukturë e re, veçmas duke pasur parasysh që KFOR-i vazhdon të ruajë një pjesë të vijës kufitare.

Vrajolli beson se Kosova nuk ka nevojë që të ketë një xhandarmëri që do të merrej me incidente të brendshme, pasi vlerëson se Policia e Kosovës është e aftë të ballafaqohet me to.

“Pikërisht fakti që vija kufitare mbrohet nga KFOR-i, KFOR ka përgjegjësi të zgjeruara në këtë fushë dhe nevojitet që ne të krijojmë institucionet tona që janë të gatshme ta zëvendësojnë KFOR-in kurdo që KFOR-i nuk është aty”, thotë Vrajolli, duke shtuar se beson që ky mision do të ketë mandat për vite apo dekadë në Kosovë.

Sipas tij, çdo çalim nga ana e Kosovës, kurdo që KFOR-i largohet nga vendi “mund të jetë fatale për vetë sovranitetit të Kosovës dhe madje kërcënime ekzistenciale për sigurinë e Kosovës”.

“Mendoj që është vendim strategjik dhe kontribuon në fuqizimin e rendit dhe sigurisë në Kosovë”, vlerëson ai.

Ndërkaq, së voni ka pasur zëra për reduktim apo tërheqje të trupave amerikane nga Evropa, teksa në Gjermani, Pentagoni ka njoftuar për tërheqjen e një pjese të trupave. Megjithatë, Uashingtoni nuk ka paralajmëruar ndonjë tërheqje të mundshme nga KFOR-i.

Edhe Vrajolli beson se një tërheqje amerikane nga Evropa është çështje dekade, por vlerëson se Kosova duhet të përgatitet që të marrë vetë në duar sigurinë e saj.

Ai thotë se ky vendim i Kosovës për krijimin e një strukture të re sigurie u bë publik në një moment kur Perëndimi ka një përçarje.

“Pastaj, ka një tendencë nga SHBA që problemet e Evropës t’ia lërë vetë në dorë Evropës dhe për ne është jashtëzakonisht me rëndësi që të përgatitemi për çfarëdo skenari që mund të pasojë si rezultat i kësaj qasjeje. Mendoj që nuk ka rrezik që shumë shpejt trupat amerikane të tërhiqen, edhe në Gjermani vetëm një numër i caktuar u tërhoq. Mendoj që tërheqja e trupave amerikan është çështje dekade. Mendoj që ne duhet të sigurohemi që për nevojat e sigurisë të jemi të gatshëm”, thotë ai.

Vrajolli thotë se Serbia – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron atë pjesë të saj – është kërcënimi kryesor i sigurisë, duke shtuar se ka qenë e gabuar bindja e mëhershme se konflikti me Beogradin i përket së shkuarës.

“Tani, me incidentin në Banjskë pamë që megjithatë nuk është i të kaluarës. Ajo që figuron në Kushtetutën serbe apo dokumentet e strategjisë së Serbisë nuk duhen injoruar, Serbia përbën kërcënim të drejtpërdrejtë të sigurisë sonë dhe ushtarake, edhe mes strukturave të tjera të sigurisë. Ne duhet të jemi të aftë, qoftë në kuadër të FSK, Policisë dhe Xhandarmerisë që të ballafaqohemi me të gjitha rreziqet, qofshin të drejtpërdrejta, tradicionale apo hibride, që gjasat më të mëdha do të jenë më hibdride si rasti Banjska”, thotë ai.

Kosova e vlerëson si terrorist sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur vrau një polic të Kosovës.

Prishtina ka fajësuar Beogradin për këtë sulm, por ai ka mohuar çdo përfshirje në të.

Xhandarmëritë e shteteve të tjera

Xhandarmëria është një forcë e sigurisë me karakter ushtarak që kryen detyra policore. Në disa shtete mund të jetë pjesë e Ministrisë së Brendshme, në të tjera pjesë e forcave të armatosura.

Shumë shtete kanë xhandarmërinë e tyre, përfshirë edhe fqinji verior i Kosovës, Serbia, xhandarmëria e së cilës funksionon në kuadër të policisë.

Xhandarmëri kanë edhe shtete të tjera, sikurse Franca, shtet anëtar i NATO-s.

Shembull, Xhandarmëria e Francës është forcë ushtarake që ka për detyrë sundimin e ligjit, ka juridiksion të plotë mbi popullatën civile dhe është përgjegjëse për sigurinë publike, rendit publik dhe ndërvepron me forcat policore dhe ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ajo luan rol në menaxhimin e krizave dhe merr pjesë edhe në misione paqësore jashtë vendit, por edhe në operacione luftarake.

Në NATO, forcat e llojit të xhandarmërisë përmenden në kuadër të asaj që njihet si policia për stabilitet. REL

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz