Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar pasi Kosova ka dal e dyta në Evropë për nga shtetet më të varfra.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ky lajm duhet të na shqetësojë të gjithëve sepse tregon kah po rrëshqet vendi ynë, shkruan lajmi.net.
“Kjo është pasqyra e përditshmërisë së familjeve tona, e qytetarëve që po e kanë çdo ditë më të vështirë ta përballojnë jetën, e të rinjve që po e humbin besimin se mund ta ndërtojnë të ardhmen këtu”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se viteve të fundit energjia e pushetit është hargjuar në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike, ndërsa sipas tij qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës.
“Kosova ka nevojë për një kthesë të madhe. Nëse kjo gjendje vazhdon edhe pak, pasojat do të jenë afatgjata. Për kthim kah bashkëpunimi, puna, zhvillimi dhe partneriteti me miqtë tanë. Ka nevojë për institucione serioze që punojnë për mirëqenien e secilit qytetar, për stabilitetin e shtetit dhe për një jetë më të mirë për familjet tona. Ky vend meriton më shumë. Dhe unë besoj se bashkë mund t’ia kthejmë Kosovës drejtimin e duhur, para se të bëhet tepër vonë”, ka shtuar Hamza. /Lajmi.net/