Kanë vijuar sot në Kopenhagë punimet e Konferencës së parlamentarëve të BE-së, në të cilën Kosova po përfaqësohet nga nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola.
Në panelin “Sigurimi i vazhdimësisë dhe sigurisë në kohë të kërcënimeve hibride”, nënkryetari Gola foli për dezinformimin rus në Kosovë dhe agresionin hibrid, që sipas tij ka për qëllim shtrembërimin e realitetit dhe nxitjen e tensioneve ndëretnike.
Nënkryetari i Kuvendit tha se për të arritur këto qëllime ato shfrytëzojnë krizat globale dhe përdorin teknika të sofistikuara manipulimi.
“Dëshiroj të ndaj shkurtimisht me ju një hulumtim të fundit nga Balkan Investigative Reporting Network (BIRN), i cili nxjerr në pah përmasat e dezinformimit rus që synon Kosovën. Sipas këtij raporti, këto fushata synojnë të shtrembërojnë realitetin, të nxisin tensione ndëretnike dhe të minojnë besimin. Ato kanë ndërtuar kanale efektive të shpërndarjes dhe arrijnë audienca të gjera përmes mediave tradicionale dhe platformave digjitale”, theksoi nënkryetari Gola.
Ai shtoi se ndikimi i tyre është real: përhapin frikë, dobësojnë kohezionin shoqëror dhe dekurajojnë pjesëmarrjen në jetën publike.
“Përvoja e Kosovës tregon se ky agresion hibrid i udhëhequr nga Rusia nuk është vetëm një sfidë informative. Ai është gjithashtu një çështje sigurie. Prandaj, rekomandimi ynë është i qartë: duhet të përgjigjemi me një qasje gjithëpërfshirëse shoqërore, mekanizma më të fortë institucionalë, edukim më të lartë mediatik dhe bashkëpunim më të thellë ndërkombëtar, duke siguruar njëkohësisht komunikim transparent dhe në kohë, në mënyrë që e vërteta të mbizotërojë”, theksoi nënkryetari Ardian Gola.
Postimi i plotë: