Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e Studimes, të vrarë dhe masakruar mizorisht nga forcat serbe, më 2 maj të 1999-tës.
Në një postim, Kurti u shpreh se këto krime nuk harrohen, nuk falen dhe nuk zbehen me kohën, transmeton IndeksOnline.
“Pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore” shkroi Kurti.
Duke përmendur dy dënimet e dhëna nga drejtësia ndërkombëtare, Kurti shprehet se krimet në Studime të Poshtme dhe të Epërme mbesin një plagë e hapur, derisa të arrihet drejtësia e plotë.
Ky është postimi i Kurtit:
Më 2 maj 1999, forcat serbe ushtruan terror të organizuar ndaj civilëve shqiptarë që po lëviznin nga Studimja e Poshtme drejt Studimes së Epërme. Brenda vetëm dy orësh, 116 shqiptarë u vranë mizorisht, burra, gra, pleq e fëmijë nga Shala dhe rrethi i Vushtrrisë.
Të nesërmen, gratë dhe fëmijët u dëbuan me dhunë drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u burgosën në Smrekonicë, ku u përballën me tortura dhe trajtim çnjerëzor.
Për këto krime, drejtësia ndërkombëtare dhe vendore ka dhënë dy dënime: Vlastimir Gjorgjeviq është dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tij në vrasjen e më shumë se 700 shqiptarëve, ku pjesë e aktakuzës ishte edhe masakra e Studimes, ndërsa në qershor 2025, Zoran Vukotiq u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte, përfshirë edhe krimet në Studime. Por këto dënime janë tepër pak përballë përmasës së krimit dhe peshës së dhimbjes së familjeve.
Këto krime nuk harrohen, nuk falen dhe nuk zbehen me kohën. Ato mbesin plagë e hapur, derisa drejtësia e plotë të vihet në vend dhe përgjegjësit të përballen me dënimet e merituara.
Pa drejtësinë për viktimat shqiptare, për fëmijët dhe pleqtë e Studimes, Serbia nuk radhitet dot mes shteteve dhe kombeve që ndërtojnë të ardhmen e tyre mbi vlerat njerëzore.
Ne po vazhdojmë të ndërtojmë e forcojmë Republikën e Kosovës së bashku, për ata që dhanë jetën e tyre dhe për ata që do të jetojnë pas nesh, duke u siguruar që asnjë brez tjetër të mos përjetojë terrorin që ne e kemi jetuar.
Në përvjetorin e masakrës së Studimes, përkujtojmë një nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë.
I përkujtojmë me nderim martirët e masakrës së Studimes dhe të gjithë ata që u flijuan për lirinë tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!