Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, dje ka bërë ekstradimin e një shtetasi kosovar nga Kroacia për në Kosovë.
I dyshuarit ishte arrestuar nga autoritete kroate, pasi që i njëjti kërkohej përmes INTERPOL-it me letër rreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale “Posedim, shpërndarje dhe shitje e substancave narkotike dhe posedim të paautorizuar të armëve” dhe se i njëjti i ishte shmangur drejtësisë.
I dyshuari, pas ekstradimit, iu është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë nga rajoni kompetent – për vazhdim me procedura të tjera ligjore.
Ndërsa sot, nga Kosova për në Suedi,0 është ekstraduar një shtetas kosovar, i cili ishte i kërkuar nga autoritete suedeze përmes INTERPOL-it, nën dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunim”.
Ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shteteve përkatëse ku u realizuan ekstradimet.
Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.