Spektakël i vërtetë hendbolli ishte gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës mes Rahovecit dhe Kastriotit.
Mbi 3000 shikues në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj përcollën një superndeshje hendbolli që përfundoi në mënyrën më dramatike të mundshme.
Kastrioti fitoi 34:33, por vetëm me penallti.
Pas serisë prej pesë gjuajtjeve të penalltive rezultati ishte i barabartë, 3:3. Në serinë e gjashtë, Wadi Chebbi ndali gjuajtjen e Jon Muqollit. Ndërkohë Festim Mustafa shënoi për festën e madhe të tifozëve ferizajas.
Ndeshja ishte e zjarrtë. “Vreshtarët” kishin epërsi prej një goli pas pjesës së parë. Në të dytën, Kastrioti ishte vazhdimisht para, por lëshoi në fund epërsinë. Dhe pas 60 minutave rezultati ishte 30:30.
Finalisti më pas u caktua me penallti. Chebbi ishte më i dalluari te Kastrioti me pritje të shumta, sidomos në pjesën e dytë.
Në finale, të dielën nga ora 20:15, Kastrioti përballet me Besa Famgasin.