Me vetëm pak ditë të mbetura deri në përfundimin e afatit kushtetues më 28 prill për zgjedhjen e presidentit, Kosova mbetet pa kandidat të dakorduar mes partive dhe pa sinjale për marrëveshje politike.
Në këtë situatë, po shtohen zërat për zgjedhje të reja.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, për Ekonomia Online u shpreh se shkuarja në zgjedhje është e dëmshme për vendin.
“Gjithsesi, në aspektin financiar, përtej kostos, mendoj se është e padrejtë dhe e dëmshme, edhe më shumë për shkak të ndërprerjes së punës me intensitet të shtuar që është vërejtur gjatë këtyre ditëve të fundit. Dhe për më tepër, zgjedhjet janë edhe të panevojshme për faktin se duket që nuk do të kemi asnjë rezultat të ri ose vështirë të presim ndonjë ndryshim të madh që do të na nxirrte nga kjo situatë në të cilën jemi aktualisht”, thotë ajo.
Ajo gjithashtu përmendi propozimet e bëra ndaj opozitës për presidentin, duke thënë se refuzimet flasin mjaftueshëm.
“Pra, në këtë situatë, kur kemi disa propozime të njëpasnjëshme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kemi asgjë specifike, qoftë në kërkesa, qoftë në refuzim konkret të propozimeve që janë bërë nga ana jonë, atëherë unë konsideroj që kjo është situata e qartë. Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje e ka theksuar vazhdimisht se Parlamenti duhet të vazhdojë punën, pasi kemi pasur më shumë se një vit humbje gjatë vitit të kaluar për një situatë pothuajse të ngjashme, ku pas zgjedhjeve u rikonfirmua, madje me rezultat edhe më të favorshëm për Lëvizjen Vetëvendosje. Andaj nuk mund të presim ndryshime të mëdha në zgjedhje dhe cilado parti që mendon se zgjedhjet janë zgjidhja e duhur për këtë situatë, gabon”, u shpreh Nagavci.
Ndryshe nga pushteti, përfaqësuesit e opozitës e shohin këtë situatë si pasojë të mungesës së vullnetit politik për arritjen e një konsensusi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ditë më parë tha se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve.
“Po, në fakt, veprimet që janë bërë edhe në fazën e parë para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në pjesën tjetër, tregojnë se qëllimi i zotit Kurti dhe i Lëvizjes Vetëvendosje është që vendin ta çojnë drejt zgjedhjeve. Dhe kjo është fatkeqësia e gjithë kësaj që po i ndodh sot Kosovës, pa asnjë interesim për ta zgjedhur presidentin dhe për t’i eliminuar eventualisht zgjedhjet që po na presin”, tha ai.
Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se zgjedhjet kanë kosto të lartë, duke mos kursyer kritikat për pushtetin.
“Zgjedhjet kanë një kosto dhe kjo ndikon si në buxhet, ashtu edhe në mirëqenien sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ato mjete duhet të merren nga projektet investive dhe vullneti i shumicës po duket se është që të mos ketë zgjidhje, por të ketë zgjedhje. Mosarritja e një konsensusi për një president është tregues i qartë se shumica synon një imponim tjetër, i cili nuk përkon as me Kushtetutën dhe as me realitetin politik në Republikën e Kosovës. Nëse shkohet në zgjedhje, atëherë ka kosto buxhetore, por edhe ngarkesë financiare për qytetarët dhe për të gjithë pa përjashtim”, u shpreh Zemaj.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, për Ekonomia Online përmendi dy goditjet që Kosova i merr nëse vendi shkon në zgjedhje.
“Kosova i merr dy goditje të mëdha. E para lidhet me stabilitetin institucional dhe jetën e qytetarëve, për shkak se moszgjedhja e presidentit dhe bllokada që kjo qeveri po ia bën Kosovës me këmbënguljen për ta marrë këtë pozitë krijon dëme të pariparueshme, të cilat janë shumëmilionëshe. Ndërsa në aspektin e organizimit të zgjedhjeve, kostoja kalon mbi 10 milionë euro. Kjo situatë flet për papërgjegjësi totale dhe etje për pushtet të zotit Kurti dhe Qeverisë së Vetëvendosjes”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka transferuar përgjegjësinë te opozita, ndërsa Tahiri thotë se opozita nuk ka çfarë të bëjë tjetër, përpos që të kërkojë një president unifikues.
“Opozita nuk ka çfarë të bëjë tjetër përveçse të kërkojë një president unifikues. I gjithë diskutimi për presidentin nuk ka qenë për një figurë konsensuale apo unifikuese, por për të justifikuar një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe dikujt në opozitë për ndarje pushteti. Debati nuk është për qeverinë, por për zgjidhjen e ngërçit politik. Ngërçi politik është te presidenti, jo te qeveria”, shtoi Tahiri.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, theksoi se në planifikimin buxhetor për vitin 2026 nuk është paraparë një proces i ri zgjedhor.
“Nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor, një nga çështjet e para që do të trajtohet nga KQZ është planifikimi i buxhetit të nevojshëm për organizimin e tyre. Viti 2026 nuk është vit zgjedhor, që do të thotë se në buxhetin vjetor të KQZ-së nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje të parakohshme. Në raste të tilla, KQZ i drejtohet Qeverisë së Kosovës me kërkesë për sigurimin e mjeteve të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve”, tha Elezi.
Elezi shtoi se aktualisht nuk mund të dihet kostoja e mundshme e zgjedhjeve, por kujtoi shpenzimet e fundit.
“Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e zgjedhjeve të mundshme, pasi nuk ka planifikim konkret. Një shumë e tillë duhet të miratohet nga KQZ dhe kjo ndodh vetëm nëse ka një proces zgjedhor. Buxheti i planifikuar për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor, ishte mbi 11 milionë euro, ndërsa sipas raporteve jopërfundimtare, janë shpenzuar rreth 7 milionë euro”, shtoi ai.
Ligjvënësit në Kosovë, që nga 25 marsi, kanë pasur mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi një dekret të ish-presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për zgjedhjen e presidentit në një seancë më 5 mars.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para, ose me 61 vota në rundin e tretë, ndërsa nevojiten të paktën 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet./EO/