Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e dy personave, pas ndeshjes Rilindja 1974 – Vëllaznimi.
Kjo ndeshje u mbyll 1-1 dhe ky rezultat i lëndoi shpresat e Vëllaznimit për një vend që dërgon në Superligën e Kosovës nga Liga e Parë.
Kjo më pak shkaktoi nervozizëm te tifozët gjakovarë, të cilët pas ndeshjes shkuan te zhveshtorja e skuadrës së tyre për të kërkuar llogari.
Këtë e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, e cila tha se i ka arrestuar dy tifozë të klubit gjakovar, të cilët pasi fyen stafin e klubit të tyre, i dëmtuan edhe dy vetura.
“Pas ndeshjes mes Rilindjes dhe Vëllaznimit në Pejë, disa tifozë të Vëllaznimit kanë fyer stafin e klubit të tyre për shkak të pakënaqësisë. Pas daljes nga stadiumi, ata kanë dëmtuar edhe dy vetura. Policia ka ndërhyrë, duke arrestuar dy persona dhe duke shoqëruar një tjetër në stacion. Për rastin është njoftuar edhe prokurori”, njofton Policia e Kosovës.
Vëllaznimi është i pesti në tabelën e Ligës së Parë, me 58 pikë, katër më pak se Dinamo e Ferizajt që e kryeson tabelën./GazetaExpress/