Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, ka thënë se kjo parti nuk ka votë për kandidatët që tashmë janë të ditur për president.
Gjini, në një konferencë për media, tha se Lëvizja Vetëvendosje po përgatit terren për t’i akuzuar partitë e tjera, derisa theksoi se procesi i zgjedhjes së presidentit nuk do të përmbyllet pa zgjedhje nacionale.
“Deri tash, për këta emra që janë në tavolinë, nuk kemi votë. Të tjerat edhe një herë duhet t’i shohim bashkë, mirëpo nuk po besoj që po ekziston një atmosferë dhe një vullnet nga partia më e madhe që në mënyrë të sinqertë dhe serioze të provojë ta përmbyllë këtë proces pa zgjedhje nacionale. Ne nuk po e shohim, unë nuk po e shoh. E gjithë ajo që po ndodh sot është për të përgatitur terren për t’i akuzuar të tjerët për dështimin e mundshëm për zgjedhjen e presidentit. Gjithçka që po përdoret, edhe fjalori që po përdoret, ka një qëllim të vetëm: për të përgatitur terren për t’ia hedhur fajin dikujt tjetër. Nuk shoh fare sinqeritet dhe vullnet për të arritur konsensus me partitë opozitare”, tha ai.