BallinaLajmePse Gjykata nuk e shpalli jokushtetues dekretin e Presidentes për shpërndarjen e...

Pse Gjykata nuk e shpalli jokushtetues dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, por vetëm konstatoi se ai nuk prodhon efekt juridik?

Të ngjajshme

Hulumtuesi i Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Vullnet Bugaqku, ka sqaruar pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk e shpalli jokushtetues dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por konstatoi se ai “nuk prodhon efekt juridik”.

Sipas tij, kjo nuk është “shmangie terminologjike”, por një zgjedhje e qëllimshme juridike që lidhet me pavlefshmërinë absolute të aktit. “Akti nuk prodhon efekt juridik që nga momenti i nxjerrjes së tij… trajtohet sikur të mos kishte hyrë kurrë në rendin juridik”, thekson Bugaqku, transmeton lajmi.net.

Ai shton se me këtë formulim, Gjykata “materializoi në praktikë efektin tipik të pavlefshmërisë absolute”, duke e vendosur dekretin jashtë rendit juridik që në fillim. Ndërkaq, një formulim si “jo kushtetues” do të nënkuptonte se akti ka ekzistuar dhe ka prodhuar pasoja, të cilat më pas janë rrëzuar.

“Pikërisht për të shmangur këtë pasiguri juridike, Gjykata ka zgjedhur një formulim që e neutralizon aktin që në burim”, shkruan ai, duke theksuar se kështu është garantuar stabiliteti institucional dhe është shmangur çdo dilemë nëse Kuvendi ka qenë i shpërndarë për një periudhë kohore.

Në përfundim, Bugaqku vlerëson se kjo qasje është më e fortë sesa një konstatim i zakonshëm i antikushtetutshmërisë, pasi prek “vetë ekzistencën juridike të aktit”.

Postimi i plotë:

Pse Gjykata Kushtetuese nuk e shpalli jokushtetues dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por vetëm konstatoi se ai nuk prodhon efekt juridik?
Çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit dhe formulimi i Gjykates Kushtetuese të Kosovës se ai “nuk prodhon efekt juridik” kërkon një lexim më të kujdesshëm sesa një etiketim i thjeshtë si “antikushtetues”.
Në pamje të parë, mund të duket si shmangie terminologjike, por në të vërtetë kemi të bëjmë me një zgjedhje të qëllimshme juridike që lidhet drejtpërdrejt me konceptin e pavlefshmërisë absolute të aktit(dekretit).
Në doktrinën e së drejtës administrative dhe asaj kushtetuese, pavlefshmëria absolute karakterizohet nga një element thelbësor: akti nuk prodhon efekt juridik që nga momenti i nxjerrjes së tij. Ai konsiderohet juridikisht i paefektshëm që nga inicimi dhe trajtohet sikur të mos kishte hyrë kurrë në rendin juridik.
Duke konstatuar se dekreti “nuk prodhon efekt juridik”, Gjykata nuk bëri vetëm një vlerësim deklarativ, por materializoi në praktikë efektin tipik të pavlefshmërisë absolute që kishte akti në fjalë.
Formulimi “nuk prodhon efekt juridik” përfaqëson një standard funksional të nullitetit ngase akti nuk hyn në rendin juridik, nuk prodhon pasoja dhe nuk ka nevojë të “rrëzohet”, sepse juridikisht nuk ka vepruar/ekzistuar kurrë.
Në anën tjetër, sikur në vendim të ishin përdorur formulimet si: “dekreti është jo kushtetues, i nxjerr në kundërshtim me kushtetuten apo në mospërputhje me dispozitat konkrete kushtetuese”, do të nënkuptohej se akti ka ekzistuar dhe ka prodhuar pasoja juridike, të cilat më pas janë rrëzuar.
Në një situatë si shpërndarja e Kuvendit, kjo do të hapte një dilemë serioze: a ka qenë Kuvendi i shpërndarë për një periudhë kohore?
Pikërisht për të shmangur këtë pasiguri juridike, Gjykata ka zgjedhur një formulim që e neutralizon aktin që në burim. Në këtë mënyrë, vendimi nuk vlerësoi vetëm efektin kushtetutes dhe ligjor të dekretit, por edhe garantoi stabilitetin institucional.
Duke e vendosur aktin jashtë rendit juridik që nga fillimi, Gjykata siguroi që të mos ketë asnjë ndërprerje të mandatit të Kuvendit dhe asnjë vakuum kushtetues. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një sistem ku balanca ndërmjet pushteteve është thelbësore.
Në këtë kuptim, qasja e Gjykatës ishte më e fortë se një konstatim i zakonshëm i antikushtetutshmërisë, sepse nuk e trajtoi vetëm në aspekt të konfliktit të tij me Kushtetutën, por me vetë ekzistencën juridike të aktit./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz