Në përvjetorin e njëzet e shtatë të masakrës në Krushë të Vogël, sot është rivarrosur Ajvaz Shehu, i cili më 26 mars 1999, u vra nga forcat serbe, duke ia shuar jetën në moshën 16-vjeçare.
Gjatë ceremonisë së rivarrimit të tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në këtë vend mbi hirin e tragjedisë u ngrit jeta. Ajo tha se asnjë emër i familjarëve që ende nuk janë gjetur nuk duhet të shndërrohet vetëm në numër.
Osmani theksoi se ky rivarrim është dëshmi e një krimi që vazhdon edhe sot nga Serbia.
“Me 26 mars 1999 këtu ndodhi një nga aktet më të errëta, një krim që tronditi ndërgjegjen e botës. Regjimi serb vrau mizorisht 113 burra, djem dhe fëmijë. Kjo histori nuk mbyllet me kaq, mbetet e hapur. Mungesa e tyre nuk është vetëm dhimbje, por një boshllëk për gjithë shtetin dhe shoqërinë tonë. Sot do të ishte 43 vjeç. Për vite me radhë, ai ka qenë në listën e të zhdukurve me dhunë, një pritje e gjatë për familjen e tij. Sot ai kthehet për t’u prehur në tokën e tij, por jo siç duhej. Ky rivarrim është dëshmi e një krimi që vazhdon, një krimi të përditshëm që Serbia e kryen ndaj Kosovës”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se ende rëndon fati i mbi 60 personave të zhdukur me dhunë, për të cilët ende nuk dihet fati i tyre.
“Kujtesa jonë nuk do të zhduket, ajo jeton në rrëfimet e grave të Krushës, të Kosovës, në pritjen e gjatë për të ditur fatin e të dashurve, në plagën e hapur që pret drejtësi. Ende rëndon fati i mbi 60 personave të zhdukur me dhunë, për të cilët ende nuk ka përgjigje. Sot, pas 27 vitesh pritje të gjatë dhe të dhimbshme, është identifikuar Ajvaz Shehu, atë botë 15 vjeç. Sot ai u kthye në vendin e tij, në tokën e tij për t’u rivarrosur me dinjitetin që i është mohuar kaq gjatë”, tha ajo.
Ndërsa, ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se para 27 vitesh, në këtë fshat u pa qartë dallimi mes njerëzores dhe barbarisë.
Ai përmendi edhe faktin se para katër vitesh janë rivarrosur shtatë martirë të kombit, e sot po shtohet edhe një martir tjetër, i cili në atë moshë të re pa tmerrin e asaj dite me sytë që iu shuan.
“Në këtë vend, më 26 mars, u pa qartë dallimi mes njerëzores dhe barbarisë. Forcat serbe masakruan burra, pleq dhe fëmijë, dhe tentuan të zhdukin çdo gjurmë të krimit. Dhe për më tepër, Krusha e Vogël jo vetëm që nuk shkon duke e lehtësuar dhimbjen e saj, por vazhdon t’i trazohet e njëjta edhe me mungesën e 60 familjarëve të tyre të zhdukur, ku para katër vitesh ne i kemi rivarrosur shtatë martirë tashmë të kombit, dhe sot po e bëjmë edhe një martir tjetër të kombit të Kosovës. Rasti i familjes së Nuredin Shehut e tregon qartë përmasën e kësaj tragjedie. Ai vëlla, Ajvaz Nuredin Shehu, ishte vetëm 15 vjeç. Një fëmijë që pa me sytë e tij tmerrin e asaj dite”, tha ai.
E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, shtoi se eshtrat e Ajvazit po prehen në truallin e larë me gjak shqiptari.
“Ne sot po rivarrosim trupin e pagjetur Ajvaz Shehu, i cili dëshmon se po rikthehet kujtesa, dhimbja e madhe dhe ankthi se çfarë do të ndodhë me fatin e të pagjeturve sa janë këtu në këtë fshat, 60. Trupi i pajetë, eshtrat e tij do të prehen në tokat e të parëve, në truallin e larë me gjak shqiptar”, shtoi ai.
Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, Kushtrim Gara përmendi nënën e të ndjerit, Zeba Shehu, e cila shkoi në atë botë me mendimin se për të Ajvazi i saj i vogël është gjallë.
“Sot, pas një pritjeje të rëndë e të gjatë, eshtrat e tij rikthehen në tokën e tij, në vendin që i takon me dinjitet. Sot kjo është më shumë se një ceremoni e rivarrimit, është një përballje me një histori dhimbjeje që ka zgjatur 27 vite, histori që nuk mund të rrëfehet pa përmendur nënën e tij, Zeba Shehu. Zeba humbi gjithçka në një ditë, bashkëshortin, djalin dhe shtatë anëtarë të tjerë të familjes. Në një çast u shua një botë e tërë, por Zeba nuk u dorëzua asnjëherë. Me një forcë që vetëm zemra e një nëne njeh, ajo jetoi me shpresën se Ajvazi ishte gjallë dhe një ditë do të kthehej. Edhe kur e vërteta u dha, ajo nuk mund ta pranonte këtë të vërtetë, për të Ajvazi mbeti i gjallë deri në frymën e fundit të saj. Ajo jetoi mes fotos dhe kujtimit”, u shpreh Gara.
Në fund, familjarja Shpresa Shehu, gjithashtu ish-mësuesja e Ajvazit, rrëfeu se si ka mbajtur në mend Ajvazin.
“Ata ishin vetëm fëmijë, kishin ëndrra, jetën përpara me buzëqeshje, por jeta e tyre u ndërpre mizorisht dhe dhimbja nuk mbaroi atë ditë, ajo vazhdoi edhe pas lufte. Sot, pas 27 vitesh pritjeje, Ajvazi, nxënësi im i dashur, prehet në vendlindjen e tij. Dikur ai ulej në bankat e shkollës dhe fytyra e tij fëmijërore mbetet në kujtesë, i dashur, i butë, i zgjuar, me sy plot jetë dhe kureshtje. E sot, pas kaq shumë vitesh, nuk po varrosim thjesht një nxënës, por një pjesë të shpirtit tonë”, tha ajo.
Ajvaz Shehu nuk është gjetur deri para tetë vitesh. Në Shirokë u gjetën eshtrat e tij, por nëna nuk kishte pranuar që ai të rivarroset, duke refuzuar se i përkasin trupit të djalit të saj.
Në 27-vjetorin e masakrës në Krushë të Vogël, ai u rivarros mes dhimbjes e lotëve.
Më 26 mars 1999, në Krushë të Vogël u vranë 113 burra, djem e fëmijë