BallinaLajmeAfati për deklarimin e pasurisë po përfundon, mbi 3,400 zyrtarë ende nuk...

Afati për deklarimin e pasurisë po përfundon, mbi 3,400 zyrtarë ende nuk e kanë kryer obligimin – APK: Procesi i rregullt

Të ngjajshme

Që nga data 1 mars, ka filluar procesi i deklarimit të pasurisë të zyrtarëve publik në Kosovë. Ky deklarim që po bëhet në Agjencinë për Parandalim të Korrupsionit, do të vazhdoj deri më 31 mars.

APK përmes një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se këtë obligim duhet ta kryejnë gjithsej 10 mijë e 353 zyrtarë publikë.

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe gjashtë ditë kohë për këtë detyrë të zyrtarëve që paguhen nga buxheti i shtetit, ende pasurinë nuk e kanë deklaruar as gjysma e tyre.

APK ka thënë se deri sot në mesditë, gjithsej 4 mijë e 860 zyrtarë publikë e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarim të rregullt vjetor të pasurisë.

“Ndërkohë përveç zyrtarëve që e kanë përfunduar deklarimin, janë edhe 2088 (20.17%) zyrtarë që e kanë filluar dhe janë në proces të plotësimit të deklaratave të tyre, ndërsa 3405 (32.89%) të tjerë ende nuk e kanë filluar të kryejnë këtë obligim”, ka thënë APK. 

Në lidhje me procesin që po zhvillohet, APK për lajmi.net ka thënë se po zhvillohet në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

“Agjencia është në komunikim të vazhdueshëm me subjektet deklaruese dhe ofron mbështetje teknike dhe sqarime të nevojshme për sistemin elektronik të deklarimit, me qëllim të lehtësimit të këtij procesi. Në përgjithësi, rrjedha e procesit vlerësohet si e qëndrueshme, ndërsa pritet që intensiteti i deklarimeve të rritet edhe më tej me afrimin e afatit përfundimtar, 31 mars 2026″, kanë thënë nga APK. 

Ata iu kanë bërë thirrje të gjithë zyrtarëve publikë që ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim ligjor, ta kryejnë deklarimin e pasurisë brenda afatit të përcaktuar, pasi sipas tyre kontribuojnë në forcimin e transparencës dhe integritetit institucional.

Mos-deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë, dënohet përmes legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës. Ata mund të dënohen me gjobë, burgim deri në pesë vite apo ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.

Detyrim për të deklaruar pasurinë çdo vit, kanë zyrtarët publik duke filluar nga Presidenti i vendit e deri te zyrtarët që kryejnë detyra siç janë certifikimi, licencimi, por edhe procedurat e tenderimi, këtu duke përfshirë edhe zyrtarët e ATK-së, doganierët dhe policët që kryejnë detyra hetimi, janë subjekte deklaruese.

Nga viti 2024, edhe mjekët e sistemit sekondar dhe terciar, si dhe profesorët e universiteteve publike, kanë obligim të deklarojnë pasurinë. /Lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz