Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i ka kthyer përgjigje me një shkresë zyrtare kreut të Kuvendit Niko Peleshi, në lidhje me faktin që brenda 3 prillit kërkohet të propozohen ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.
Blushi shprehet se ndryshimet e fundit në Rregullore janë shfuqizuar si anti-Kushtetuese me vendim gjykate, pasi ka ndodhur vetëm me votat e mazhorancës. Ai shton se vendim i Kushtetueses pritet ende të zbardhet.
“Ju duhet të tregoni maturi institucionale, të mos pranoni të keqpërdoreni dhe duhet të respektoni autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat keni detyrimin për t’i kaluar më pas për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë”, i shkruan deputeti kreut të Kuvendit.
Në fund ai i kërkon peleshit që të ndjekë rrugën ligjore dhe kushtetuese dhe të “mos injorojnë vendimet e GJK”.
Letra e plotë e Tedi Blushit:
“Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 1215 Prot., datë 19.03.2026, me anë të së cilës na kërkoni që brenda datës 3 prill 2026, të propozojmë ndryshime që vlerësojmë të nevojshme në Rregulloren e Kuvendit, ju paraqesim paqartësinë tonë sa më poshtë:
Në shkresën tuaj ju shpreheni se “në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendif”, por pa specifikuar se për çfarë procesi bëhet fjalë, nga kush është ndërmarrë dhe po kryhet ky proces vlerësimi dhe si ka lindur kjo nevojë.
Sjellim në vëmendjen tuaj se Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në datë 23.02.2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit.
Ju duhet të tregoni maturi institucionale, të mos pranoni të keqpërdoreni dhe duhet të respektoni autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat keni detyrimin për t’i kaluar më pas për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë.
Përsa më lart, mbetemi në pritje të sqarimit tuaj se për çfarë “procesi të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit” bëhet fjalë dhe kush e ka inicuar këtë proces, pa pritur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
