BallinaBotëMinistri izraelit kërkon zgjerimin e kufirit deri në lumin Litani të Libanit

Ministri izraelit kërkon zgjerimin e kufirit deri në lumin Litani të Libanit

Të ngjajshme

Izraeli duhet të zgjerojë kufirin e tij me Libanin deri te lumi Litani, thellë në jug të vendit, deklaroi të hënën ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë sulmet ajrore dhe shkatërrimin e urave e shtëpive në zonë.

Komentet e Smotrich janë ndër më të drejtpërdrejtat deri tani nga një zyrtar i lartë izraelit për marrjen e territorit libanez, në një luftë që Izraeli thotë se synon militantët e Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

Libani u përfshi në konfliktin rajonal më 2 mars, kur Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit. Që atëherë, Izraeli ka urdhëruar evakuimin e të gjithë banorëve në jug të lumit Litani, duke e bombarduar zonën me sulme ajrore dhe duke e konsideruar atë si bastion të Hezbollahut.

Autoritetet libaneze thonë se sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë vrarë më shumë se 1,000 persona dhe kanë detyruar mbi një milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi Izraeli ka urdhëruar evakuime masive në disa zona të vendit.

Smotrich deklaroi në një program radiofonik se fushata ushtarake në Liban “duhet të përfundojë me një realitet krejtësisht ndryshe”, duke përfshirë jo vetëm dobësimin e Hezbollahut, por edhe ndryshimin e kufijve të Izraelit.

“E them qartë në çdo takim dhe në çdo diskutim: kufiri i ri i Izraelit duhet të jetë Litani,” tha ai.

Smotrich, lider i një partie të vogël të ekstremit të djathtë në qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, shpesh bën deklarata që shkojnë përtej politikës zyrtare të Izraelit.

Zyra e Netanyahut nuk ka komentuar menjëherë këto deklarata, ndërsa ministri i Mbrojtjes Israel Katz kishte paralajmëruar më herët këtë muaj se Libani mund të përballet me “humbje territori” nëse nuk çarmatos Hezbollahun.

Deklaratat e Smotrich kanë shkaktuar shqetësim të madh në Liban, i cili po përpiqet të dalë nga një histori e gjatë pushtimesh nga Izraeli. Forcat izraelite kanë ndërmarrë sulme të përsëritura që nga viti 1978 dhe kanë pushtuar jugun e Libanit nga 1982 deri në vitin 2000.

Një zyrtar libanez tha se Bejruti ende shpreson që fuqitë ndërkombëtare të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës, duke përfshirë një ofertë për bisedime të drejtpërdrejta nga presidenti Joseph Aoun.

Ndërkohë, Smotrich bëri thirrje edhe për aneksimin e territoreve në Rripin e Gazës që aktualisht kontrollohen nga Izraeli, deri në vijën e armëpushimit me Hamas.

Gjatë fundjavës, Izraeli goditi një urë kryesore që lidh jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit, pasi urdhëroi shkatërrimin e të gjitha kalimeve mbi lumin Litani dhe intensifikimin e prishjes së shtëpive pranë kufirit jugor.

E drejta ndërkombëtare zakonisht ndalon sulmet ndaj infrastrukturës civile, ndërsa Kombet e Bashkuara kanë kritikuar veprimet e Izraelit, veçanërisht urdhrat për evakuime masive.

Të hënën, sulmet izraelite goditën edhe dy kalime të tjera mbi lumin Litani, një rrugë pranë një ure kryesore dhe një urë më të vogël në një pjesë tjetër të lumit.

Hanna Amil, kryetari i qytetit kufitar të krishterë Rmeish, tha se lëvizja është bërë gjithnjë e më e vështirë për banorët që kanë refuzuar të largohen.

“Një ose dy herë në javë, një kolonë e ushtrisë libaneze na shoqëron për të marrë furnizime bazë nga zonat përreth,” tha ai.

“Ne tashmë nuk kemi energji elektrike shtetërore, nuk kemi ujë dhe kemi mungesë nafte. Nëse të gjitha rrugët drejt veriut ndërpriten, nuk e dimë çfarë do të ndodhë me ne,” shtoi Amil. 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz