Skenderaj është tronditur nga lajmi i rëndë për ndarjen nga jeta të profesorit të respektuar, Miftar Lushtaku. Pas përfundimit të namazit të teravisë, ai është goditur nga një automjet teksa po kalonte rrugën, duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe xhamia e Skenderajt. Imami i saj, Elbasan Xani, ka ndarë fjalë prekëse për profesorin e ndjerë, duke e kujtuar si një besimtar të devotshëm dhe njeri të përkushtuar ndaj fesë.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vdekjen e xhematliut tim, Miftar Lushtakut. Ai, edhe në moshë të shtyrë, ishte i përkushtuar dhe me mua kishte filluar të mësonte shkronjat e Kur’anit,” u shpreh imami Xani.
Ai shtoi se kjo humbje është e madhe për familjen, xhematin dhe gjithë komunitetin, duke lutur Zotin për mëshirë ndaj të ndjerit.
“E lus Allahun që ta mëshirojë, t’ia falë gabimet dhe kjo teravi e fundit t’i bëhet argument për ta futur në Xhenet. Allahu e mëshiroftë, ndërsa familjes së tij Allahu ua shtoftë sabrin dhe i forcoftë në këtë dhimbje të madhe,” përfundoi ai.
Vdekja e profesorit Lushtaku ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe gjithë ata që e njohën si njeri të urtë, të përkushtuar dhe shembull për komunitetin.
Dhimbje e thellë në Skenderaj – humb jetën tragjikisht profesori Miftar Lushtaku pas namazit të teravisë
- Advertisement -