Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se ftesat e kryeministrit Kurti për takim me opozitën janë në frymën e gjetjes së një zgjidhjeje për të evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Nagavci tha se dekreti i presidentes Osmani është jokushtetues.
“Edhe një palë zgjedhje janë të panevojshme dhe nuk duhet të mbahen. Në këtë frymë janë edhe ftesat për takime, ndonëse jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nënkupton se ne, përveçse besojmë se adresimi në Gjykatë i çështjes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është i duhur, konsiderojmë se me anë të atij dekreti është shkelur Kushtetuta dhe ka pasur ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit. Kjo tregon edhe gatishmërinë tonë që sa më parë të ofrohet një zgjidhje dhe të vazhdohet puna.”, tha Nagavci.
Shefja e deputetëve të LVV-së pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi argumentet e dorëzuara nga kryeministri Kurti dhe grupi parlamentar i LVV-së. Megjithatë, ajo paralajmëron se do ta respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne besojmë se argumentet janë në anën tonë. Është pothuajse ndër të rrallat raste kur komuniteti i ekspertëve dhe njohësve të Kushtetutës mbajnë pothuajse të njëjtin qëndrim, përkatësisht në përkrahje të argumenteve se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ishte jokushtetues. Ne presim që Gjykata të marrë një vendim meritor, bazuar në argumente dhe me integritet profesional. LVV-ja gjithmonë ka respektuar vendimet e gjykatave dhe institucioneve. Edhe pse kemi pasur qëndrime publike, kemi organizuar aksione politike dhe kemi shprehur bindjet tona, gjithmonë kemi respektuar vendimet e institucioneve tona.”, u shpreh ajo për rtv21.