Ambasada amerikane në Bagdad u godit nga një sulm iranian këtë të martë, teksa Republika Islamike vijon të shënjestrojë shtetet rajonale, në vazhdën e luftës me SHBA dhe Izraelin. Siç bëri me dije një zyrtar i sigurisë, 3 dronë dhe 4 raketa sulmuan ambasadën e pozicionuar në zonën e gjelbër, të fortifikuar, me të paktën një dron që thuhet të ketë goditur ndërtesën.
Autoritetet irakiane e cilësuan këtë si sulmin më intensiv që prej fillimit të luftës. Iraku është goditur vazhdimisht këtë javë. Një zjarr përfshiu një hotel luksoz në Bagdad, pas shënjestrimit nga një dron ditën e hënë.
Irani sulmoi sërish Emiratet e Bashkuara Arabe të martën, ku një shtetas pakistanez humbi jetën për shkak të mbetjeve të një rakete të interceptuar balistike në Abu Dabi. Po ashtu një zjarr përfshiu një fushë gazi, si pasojë e një sulmi me dronë. Një ditë më herët aeroporti i Dubait u mbyll përkohësisht, ndërsa u godit edhe një terminal nafte në Fujairah. Garda Revolucionare njoftoi se ishte qëlluar edhe një bazë amerikane në Katar, ndërsa shpërthime pati edhe në Doha e Bahrein.Presidenti amerikan deklaroi të hënën se askush nuk e kishte pritur që Irani do të sulmonte fqinjët në Gjirin Persik. Donald Trump u shpreh: “Nuk ishte e pritshme që ata të sulmonin të gjitha këto vende në Lindjen e Mesme. Askush nuk e kishte menduar; u shokuam!”
Megjithatë, zyrtarë të inteligjencës amerikanë kanë bërë me dije se Trump ishte paralajmëruar se një sulm ndaj Iranit mund të nxiste raprezalje ndaj vendeve të Gjirit. Trump ndërkohë akuzoi disa aleatë perëndimorë për mosmirënjohje, pasi refuzuan kërkesën e tij për të dërguar luftëanije në Hormuz, për shoqërimin e cisternave të naftës përmes ngushticës së bllokuar nga Irani. Ai tha se disa ishin ofruar të ndihmonin, por shprehu frustrimin me aleatët që po hezitonin të ndërmerrnin këtë hap.
Kancelari gjerman Fridrih Merz deklaroi se kjo luftë nuk ishte çështje e NATO-s, ndërsa aleanca reagoi se kishte vepruar tashmë duke ofruar siguri shtesë në Mesdhe. (A2 Televizion)