Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i ka dhënë një mesazh besimi skuadrës së tij para ndeshjes së kthimit të gjysmëfinales së Copa del Rey ndaj Atlético Madridit.
Sipas tij, katalanasit duhet të besojnë se mund “ta bëjnë të pamundurën të mundur”, edhe pse humbën në ndeshjen e parë me 4 gola diferencë, shkruajnë mediat spanjolle, përcjell “Gazeta Express”.
Flick ka deklaruar se skuadra duhet të jetë e gatshme për një performancë të jashtëzakonshme në Spotify Camp Nou, duke besuar në vetvete dhe duke mos u dorëzuar pavarësisht sforcimit të madh që kërkohet për ta barazuar rezultatin.
Ai theksoi se është e rëndësishme të mbahet porta e paprekur dhe të besohet në forcën e ekipit, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë.
Në konferencë ai e pati edhe një mesazh për tifozët, duke nënvizuar se mbështetja e tyre në stadium mund ta bëjë diferencën për një rezultat historik.
Sipas Flick, besimi, intensiteti dhe bashkëpunimi në fushë janë çelësi për të shpresuar në një kthim epik.
Barcelona do të kërkojë t’i shënojë të paktën 4 gola pa pësuar në ndeshjen e kthimit për ta mbajtur gjallë ëndrrën e finales së Kupës së Mbretit, një detyrë tejet sfiduese por që trajneri gjerman beson se është e mundur me përkushtim maksimal. /Gazeta Express