Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Denis Bytyqit dhe Enis Bitiq, të cilët akuzohen për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, pasi që përmes rrjeteve sociale Facebook dhe TikTok kishin bërë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad. I akuzuari Denis u dënua me 2 vjet burgim, kurse i akuzuari Enis me 1 vit burgim.
Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësja Namani-Hajra tha se Denis Bytyqi dënohet me 2 vjet burgim, kurse Enis Bitiq me 1 vjet burgim për “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.
Të akuzuarit Denis Bytyqi i ndërpritet masa e paraburgimit, me arsyetimin se kanë pushuar shkaqet për vazhdimin e kësaj mase.
Ndaj këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit në formë të shkruar.
Gjykatësja theksoi se telefonat që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale, konfiskohen.
Të akuzuarit nuk ishin prezent në shpallje.
Ndryshe, dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare më 9 tetor 2025.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 23 shtator 2025, Denis Bytyqi dhe Enis Bitiq, akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare.
Aktakuza thotë se në vazhdimësi deri më 1 maj 2025, përmes rrjetit të tyre social “Facebook” dhe “Tik Tok”, të akuzuarit kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse përmes të cilave kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad, si dhe postime tjera ku shpërfaqin përkrahje të fuqishme të ekstremizmit fetar dhe publikisht i përkrahin veprimet e bëra nga organizata terroriste “ISIS”, duke shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, forcave të sigurisë, liderëve politikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre.
Sipas aktakuzvs, ata kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste “ISIS” mbi kulmin e shtëpisë të tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime dhe postime potencialisht mund të prishet rendi publik.
Me këto veprime, të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, par.1 të Kodit Penal, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.