Disa përdorues kanë probleme me WhatsApp Web-n mëngjesin e së premtes, 27 shkurt, duke theksuar vështirësi kryesisht gjatë procesit të hyrjes dhe sinkronizimit të bisedave.
Sipas faqes që monitoron ndërprerjet e shërbimeve online, Downdetector, raportimet për probleme u rritën ndjeshëm rreth orës 09:00.
Shumë përdorues iu drejtuan rrjetit social X për të raportuar vështirësi në lidhjen e WhatsApp Web-in me pajisjet e tyre.
Aplikacioni i mesazheve WhatsApp është përballur edhe më herët me probleme të ngjashme teknike. Në prill të vitit të kaluar, përdorues të shumtë raportuan probleme në dërgimin e mesazheve.
Po ashtu, më 28 shkurt të vitit të kaluar, platforma pësoi një ndërprerje globale, gjatë së cilës u regjistruan mbi 5 mijë raportime për mesazhe që nuk dërgoheshin.