Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi për një takim me presidenten Vjosa Osmani, që tha se u bë me ftesën e saj.
Osmani duket se ka nisur kështu konsultimet me partitë politike për Bordin e Paqes, pasi ditë më parë hodhi nënshkrimin në emër të Kosovës për t’u bërë anëtare.
Kreu i LDK-së tha se folën për “zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare”.
“Me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani, sot gjatë ditës u takova me të për të diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe ndërkombëtare me rëndësi për Kosovën. Në këtë takim u informova për iniciativën e Presidentit Donald Trump për themelimin e Bordit të Paqes; një nismë që synon forcimin e stabilitetit, dialogut dhe paqes, dhe që e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai tha se i shprehu Osmanit “mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë iniciativë”.
“Forcimi i paqes, i aleancave, në veçanti me SHBA-të, dhe i rolit ndërkombëtar të Kosovës duhet të jetë përparësia jonë. LDK mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë strategjikë”, shkroi ai.