Një tender i bllokuar dhe mungesa e një vendimi përfundimtar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit kanë lënë Policinë e Kosovës pa kontratë valide për furnizim me ushqim, duke e detyruar institucionin të veprojë përmes procedurës së urgjencës. Në këtë boshllëk institucional, Policia ka lidhur një kontratë emergjente në vlerë rreth 650 mijë euro për tre muaj me kompaninë “Beni Dona Plast SH.P.K.”, e njëjta kompani që kishte kontestuar procedurën e hapur të prokurimit dhe për të cilën eksperti i OSHP-së kishte konstatuar se ankesa ishte e pabazuar.
Sipas vendimit zyrtar të kontraktimit (B58), Policia e Kosovës ka shpërblyer këtë operator ekonomik me kontratë për shërbime ushqimi, me çmim për njësi 53.09 euro, duke e cilësuar ofertën si ofertë të përgjegjshme. Kjo ndodh pavarësisht faktit se tenderi i hapur ishte anuluar pikërisht për shkak se çmimet e ofruara ishin vlerësuar si të paarsyeshme krahasuar me tregun.
Në procedurën ankimore, eksperti shqyrtues i OSHP-së i kishte dhënë të drejtë Policisë së Kosovës për anulimin e aktivitetit të prokurimit, duke konstatuar se ankesa e “Beni Dona Plast SH.P.K.” nuk ishte e bazuar. Megjithatë, për shkak se paneli i OSHP-së ende nuk ka marrë vendim përfundimtar, procesi ka mbetur pezull, duke krijuar një situatë ku Policia e Kosovës ka mbetur pa furnizim me ushqim, një shërbim bazik për funksionimin e saj ditor.
Për të shmangur ndërprerjen e këtij shërbimi esencial, Policia ka proceduar me procedurë të negociuar pa publikim, duke u thirrur në urgjencë ekstreme. Kontrata e përkohshme, e lidhur për një periudhë tremujore, ka për qëllim mbulimin e kohës derisa të sqarohet fati i kontratës së madhe shumë-milionëshe që mbetet e kontestuar.

Kontrata emergjente i është dhënë pikërisht kompanisë që kishte kontestuar tenderin e anuluar dhe për të cilën ishte konstatuar se kishte ofruar çmime të larta. Kështu, ndonëse ankesa e saj nuk u pranua në nivel ekspertize në OSHP, kompania rikthehet si furnizues përmes mekanizmit të urgjencës, me pothuajse të njëjtin çmim për njësi.

“Beni Dona Plast SH.P.K.” lidhet me biznesmenin Ragip Mustafa, i njohur për afërsinë e tij me strukturat e LDK-së. Kompania është përmendur edhe më herët në kontekstin e përfitimit të kontratave publike, përfshirë furnizime për Forcën e Sigurisë së Kosovës, çka ngre dyshime shtesë mbi mënyrën se si po përdoren procedurat emergjente në prokurimin publik.
Derisa paneli i OSHP-së të nxjerrë një vendim përfundimtar për tenderin e hapur të vlerës së madhe, situata mbetet pezull. Nga njëra anë, Policia e Kosovës ka vepruar për të garantuar funksionalitetin institucional dhe për të mos rrezikuar operimin e saj, por nga ana tjetër, vonesat vendimmarrëse kanë hapur rrugë për zgjidhje që bien ndesh me arsyetimin fillestar për anulimin e tenderit. /Lajmi.net/