back to top
Sunday, December 28, 2025
BallinaBotëNetanyahu niset drejt SHBA-së, pritet të takojë Trump – në fokus Gaza...

Netanyahu niset drejt SHBA-së, pritet të takojë Trump – në fokus Gaza dhe Irani

Të ngjajshme

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takojë Presidentin amerikan Donald Trump të hënën në Florida. Kështu ka njoftuar një zyrtar izraelit për mediat e huaja.

Takimi shihet si një vizitë kyçe për hapat e ardhshëm të planit të brishtë të armëpushimit në Gazë.

Kjo do të jetë vizita e pestë e Netanyahu-t në Shtetet e Bashkuara këtë vit për të takuar aleatin kryesor, Trump.

Vizita vjen ndërsa administrata Trump dhe ndërmjetësit rajonalë po përpiqen të avancojnë në fazën e dytë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Mësohet se Netanyahu do të niset për SHBA sot dhe do të takohet me Trump një ditë më vonë në Florida, teksa nuk specifikohet vendi i takimit.

Edhe Trump ka deklaruar më herët se Netanyahu do ta vizitonte në Florida gjatë pushimeve të Krishtlindjeve.

Sipas mediave në Izrael, pritet të diskutohen një sërë çështjesh rajonale, përfshirë Iranin, bisedimet për një marrëveshje sigurie Izrael-Siri, armëpushimin me Hezbollah-un në Liban dhe hapat e ardhshëm të marrëveshjes për Gazën.

Gaza: Faza e dytë e armëpushimit

Sa i përket Gazës, koha e takimit është “shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Gershon Baskin, bashkëkryetar i komisionit për ndërtimin e paqes “Alliance for Two States”, i cili ka marrë pjesë në negociata të fshehta me Hamasin.

“Faza e parë ka përfunduar, por ka një të burgosur izraelit të vrarë që Hamas ka vështirësi ta gjejë,” tha ai për AFP.

“Faza e dytë duhet të fillojë, është edhe vonuar dhe mendoj se amerikanët e kuptojnë këtë, sepse Hamas ka pasur shumë kohë për të rivendosur prezencën e tij, dhe kjo nuk është situata që amerikanët duan të mbetet”, shtoi më tej.

Teksa përparimi drejt fazës së dytë të armëpushimit të tetorit, të ndërmjetësuar nga Washingtoni dhe aleatët rajonalë, ka qenë i ngadaltë, të dyja palët akuzojnë për shkelje të shpeshta të armëpushimit, ndërsa ndërmjetësit frikësohen se Izraeli dhe Hamas po vonojnë procesin.

Sipas fazës së ardhshme, Izraeli duhet të tërhiqet nga pozicionet në Gaza, një autoritet i përkohshëm do të qeverisë territorin palestinez në vend të Hamasit, dhe një forcë ndërkombëtare stabilizuese (ISF) do të vendoset. Gjithashtu, parashikohet që Hamas të çarmatoset, një pikë e vështirë për t’u zgjidhur.

Irani kryeson agjendën

Ndërsa administrata Trump është e fokusuar tek përparimi për Gazën, analistët thonë se rasti i rindërtimit të programit bërthamor dhe raketor të Iranit pritet të jetë kryefjala e agjendës së Netanyahu-t.

“Gjithçka që dëgjuam në mediat izraelite javët e fundit për Iranin dhe rrezikun për Izraelin është pjesë e strategjisë së planifikuar për të zhvendosur vëmendjen nga Gaza tek çështja që Netanyahu dëshiron të diskutojë: Irani”, tha Baskin.

Që nga qershori, Izraeli ka kryer sulme mbi objektet ushtarake dhe bërthamore iraniane, si dhe mbi zona banimi. Irani ka kundërpërgjigjur me sulme me dron dhe raketa, ndërsa më vonë SHBA-të iu bashkuan Izraelit në goditjen e objekteve bërthamore iraniane gjatë një lufte 12-ditore.

Mekelberg tha se Netanyahu mund të përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga Gaza tek Irani, ndërsa duke hyrë në vitin zgjedhor në Izrael, ai ndoshta po ndjek një qasje mbrojtëse për të minimizuar sfidat në shtëpi. “Gjithçka lidhet me qëndrimin në pushtet”, sipas ekspertëve.

Të Fundit

Sport

ShowBiz