Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka njoftuar sot për arrestimin e A. B., shtetas i Suedisë, i dyshuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, kontrabandë armësh, falsifikim dokumentesh dhe vjedhje të identitetit.
I dyshuari është arrestuar në rajonin e Prishtinës pas një operacioni të koordinuar mes hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe autoriteteve të drejtësisë së Suedisë, pasi A. B. kishte qenë në kërkim ndërkombëtar nga shteti nordik.
Sipas Prokurorisë Speciale, A. B. dyshohet se ka drejtuar një grup të organizuar kriminal, me të cilin kishte blerë armë dhe municione për t’i transportuar dhe shitur ilegalisht. Gjithashtu, ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente të identitetit me qëllim mashtrimi dhe ka përdorur të dhëna të huaja personale pa autorizim.
I dyshuari u lokalizua dhe u arrestua më 1 dhjetor 2025. Gjatë kontrollit në objektin ku qëndronte, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme provash materiale:
52,480 euro para të gatshme,
Patentë shoferi dhe letërnjoftim i dyshuar si të falsifikuar, në emër të personave të tjerë,
Tre telefona celularë,
Një orë Rolex (ngjyrë e bardhë–ari),
Pajisje elektronike (HDD dhe DVR),
Një veturë.
Ky arrestim lidhet me një operacion të mëparshëm policor të zhvilluar më 12 mars 2023, ku ishin sekuestruar:
20 armë automatike AK-47,
20 karikatorë,
Dy automjete,
Gjashtë telefona,
Dokumente të ndryshme relevante për rastin.
A. B. është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, kundër aktivitetit të grupeve kriminale dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar për goditjen e veprimtarive ilegale që prekin sigurinë e vendit.
Institucionet riafirmojnë se bashkëpunimi me shtetet partnere, si Suedia në këtë rast, mbetet thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar transkufitar.
