Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë, gjenerali suprem i NATO-s gjatë luftës së Kosovës, Wesley Clark, ka vazhduar të sqarojë rrethanat politike dhe ushtarake të periudhës së luftës.
Pyetjet e Prokurorit janë fokusuar kryesisht në deklaratat publike të ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe në situatën në Luginën e Preshevës.
Gjatë seancës, Prokurori ka rikujtuar një takim të asaj kohe, duke cituar gjeneralin gjerman Reinhard, i cili kishte shprehur zemërim për deklaratat e Thaçit në lidhje me akuzat për gjenocid dhe përshkrimin e gjendjes së refugjatëve.
Prokurori: “Thaçi akuzoi palën serbe se ka filluar gjenocidin dhe dëbimin e personave. Ai përshkroi situatën e refugjatëve që kishte parë, duke thënë se u ishte dashur të kalonin malet në këmbë. Ai nuk tha asnjë fjalë që të distancohej nga UQPMB-ja, nuk tha asgjë për sigurinë. Përkundrazi, ai bëri deklarata të rreme dhe propagandë. Jam shumë i zemëruar që nuk mund të ndërhyj para kamerave që po na xhirojnë. Do të ballafaqohem me të,” thuhet të ketë thënë gjenerali Reinhard.
Clark:“Po, më kujtohet kjo ngjarje.”
Prokurori ka kërkuar sqarime edhe mbi saktësinë e përshkrimit të gjeneralit Reinhard.
Prokurori: “A është i saktë përshkrimi i gjeneralit Reinhard?”
Clark: “Unë kam qenë personalisht i pranishëm ato takime dhe nuk e di çfarë ka ndodhur pikërisht në atë të cituar. Por e di se ishte një situatë ku po bëhej një kalim i UÇK-së nga një organizatë ushtarake në një lëvizje që kërkonte të siguronte të ardhmen politike për veten dhe për Kosovën. Ne ishim me fat që kishim Ibrahim Rugovën, një lëvizje politike të shtrirë në gjithë Kosovën, e cila u rishfaq me Partinë Liberal Demokratike të Kosovës. Thaçi kishte pikëpamje të tjera dhe ndiqte një kauzë tjetër. Kam lexuar se ka pasur dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.”/Lajmi.net/