Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka thënë se do të ngrejë padi kundër një burri që e ngacmoi gjatë një paraqitjeje publike, ka raportuar BBC.
Pamjet e incidentit të së martës, të filmuara me celular, tregojnë Sheinbaum duke folur me një grup mbështetësish në një rrugë pranë Pallatit Kombëtar në Mexico City.
Në video, një burrë i afrohet asaj nga pas dhe përpiqet ta puthë në qafë dhe t’i vendosë duart në trup.
Sheinbaum u largua shpejt dhe një anëtar i ekipit të saj ndërhyri, por ajo ishte dukshëm e tronditur. Shkelësi është arrestuar.
“Pikëpamja ime është se, nëse nuk paraqes një ankesë, çfarë do të ndodhë me gratë e tjera meksikane? Nëse ia bëjnë këtë presidentit, çfarë do të ndodhë me të gjitha gratë në vendin tonë?” tha Sheinbaum në një konferencë për shtyp të mërkurën.
“Vendosa të ngre padi sepse kjo është diçka që e kam përjetuar si grua, por që ne si gra e përjetojmë në vendin tonë”, tha ajo. “E kam përjetuar më parë, kur nuk isha presidente, kur isha studente.”
Ajo shtoi se kishte vendosur të vazhdonte me ngritjen e akuzave kundër të dyshuarit, pasi ai dyshohet se kishte ngacmuar gra të tjera në turmë.
“Duhet të vihet një vijë kufitare,” tha ajo.