Bayern Munich po përpiqet me ngulm të sigurojë të ardhmen e Dayot Upamecanos, por negociatat për rinovimin e kontratës po komplikohen, pasi Real Madridi ka hyrë fuqishëm në garë për qendërmbrojtësin francez.
Bavarezët kanë pasur një nisje të shkëlqyer të sezonit, dhe Upamecano ka qenë një element kyç në suksesin e skuadrës, duke formuar një dyshe solide në mbrojtje me Jonathan Tah. Megjithatë, kontrata e francezit është drejt skadimit dhe oferta e parë e klubit nuk ka përmbushur pritjet e lojtarit, çka ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e tij në Mynih.
Sipas Fusball Transfer, Upamecano ka arritur tashmë një marrëveshje verbale me Real Madridin mbi kushtet personale të kontratës. Madrilenët e shohin mbrojtësin si përforcimin ideal për linjën e prapme, madje më të përshtatshëm se Ibrahima Konate i Liverpoolit, i cili gjithashtu është në vitin e fundit të kontratës.
Përveç Real Madridit, interesim për francezin kanë shfaqur edhe Liverpool dhe Chelsea, duke e bërë situatën e tij në treg edhe më të nxehtë. Kjo vendos Bayernin në presion për të reaguar shpejt dhe për të përmirësuar ofertën aktuale, nëse dëshiron ta mbajë një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të skuadrës.
Në media janë përmendur edhe spekulime për një klauzolë lirimi, që mund ta lehtësojë largimin e Upamecanos nëse klubet arrijnë një marrëveshje të favorshme në afatin kalimtar të janarit.
Në çdo rast, lojtari ndodhet në një pozicion të shkëlqyer negociues, ndërsa Bayern përballet me rrezikun e humbjes së një tjetër talenti elitar drejt Madridit.