
Nëse keni parë ndonjëherë filma si “Sully” apo “Final Descent”, ndoshta mendoni se emergjencat ajrore ndodhin vetëm një herë në disa dekada. Por sipas ekspertëve të aviacionit, disa prej tyre janë më të zakonshme nga sa imagjinojmë.
Dr. Guido Carim Junior, ligjërues i aviacionit në Griffith University në Australi, shpjegon se katër probleme teknike të frikshme gjatë fluturimit janë “thjesht pjesë e përditshme e fluturimit”. Pilotët stërviten vazhdimisht për këto skenarë, duke i praktikuar në simulime pa pushim.
Edhe pse shumica e rasteve nuk përfundojnë në tragjedi, shpesh shoqërohen me ulje emergjente dramatike, humbje të lartësisë dhe panik mes pasagjerëve.

Ja cilat janë 4 problemet më të frikshme që mund të ndodhin në ajër:
1. Dështimi i motorëve – skenari më i frikshëm
Avionët komercialë kanë zakonisht dy motorë. Në rast se njëri dështon, tjetri është i mjaftueshëm për të mbajtur avionin në ajër. Megjithatë, çdo dështim motori trajtohet me seriozitet maksimal.
Pilotët ndjekin menjëherë një listë të saktë procedurash: fikjen e motorit problematik, ulje në lartësi të përshtatshme dhe devijim drejt aeroportit më të afërt.
Shembull tragjik: Në vitin 2015, TransAsia Airways Flight 235 pësoi dështim të një motori menjëherë pas ngritjes, por pilotët gabimisht fikën edhe motorin tjetër. Avioni u rrëzua mbi një lumë në Taipei, duke shkaktuar 43 viktima.

Shembull i lumtur: Në vitin 2009, një tufë zogjsh shkaktoi dështimin e të dy motorëve të US Airways Flight 1549. Piloti Chesley “Sully” Sullenberger arriti të ulë avionin mbi lumin Hudson në New York, duke shpëtuar 155 njerëzit në bord.
Rastet kur të dy motorët ndalojnë janë tepër të rralla, por kur ndodhin, shpesh bëhen legjendare.
2. Probleme me rrotat dhe frenat
Rrotat e avionit qëndrojnë të fshehura gjatë fluturimit dhe dalin vetëm para uljes. Ato përfshijnë edhe sistemin e frenimit, i cili është jetik për të ndalur një avion prej qindra tonësh.

Çfarë ndodh kur sistemi dështon?
Nëse rrotat nuk hapen, avioni duhet të ulet mbi bark. Pasagjerët paralajmërohen me komandën “brace for impact”.
Nëse frenat nuk funksionojnë, pilotët përdorin “reverse thrust” – fuqinë e motorëve për ta ngadalësuar avionin – dhe zgjedhin pista të gjata.

Shembull real: Në dhjetor 2023, një avion i Qantas u kthye urgjentisht në Brisbane për shkak të problemeve me rrotat. Pasagjerëve iu tha të vendosnin kokën poshtë e të qëndronin të përkulur, por avioni u ul me sukses.
3. Humbja e presionit në kabinë
Avionët fluturojnë në lartësi rreth 11 km, ku oksigjeni është i pakët. Për këtë arsye, kabina mbahet e presionuar, në mënyrë që pasagjerët të mund të marrin frymë normalisht.
Në rast defekti, pasagjerët e ndjejnë menjëherë: veshët bllokohen, maskat e oksigjenit bien nga tavani dhe avioni fillon një zbritje të shpejtë të kontrolluar.
Shembull dramatik: Në janar 2024, një avion i Alaska Airlines pësoi depresionim të menjëhershëm kur një derë u shkëput nga trupi i avionit vetëm 6 minuta pas ngritjes. Për fat, ndodhej në një lartësi të ulët, dhe nuk pati viktima. Nëse do të ndodhte në 36,000 këmbë (11km), pasagjerët do të humbnin ndjenjat brenda sekondave.

4. Defektet në sistemet e kontrollit të fluturimit
Avioni drejtohet nga disa sipërfaqe të posaçme si timoni vertikal (rudder) dhe krahët lëvizës (ailerons). Këto komandohen nga sisteme hidraulike ose elektrike.s
Edhe nëse një sistem dështon, avionët janë të ndërtuar me shtresa sigurie dhe redundancë. Piloti mund të përdorë kontrolle alternative dhe zakonisht kthehet urgjentisht në aeroport.
Pse s’ka arsye për panik?
Sipas Dr. Junior, edhe pse këto skenarë duken si fundi i botës për pasagjerët, realiteti është krejt ndryshe:
Pilotët stërviten qindra orë për t’i menaxhuar këto situata.
Çdo avion ka sisteme paralajmërimi dhe plan B për çdo rast.
Shumica e emergjencave përfundojnë me ulje të sigurtë dhe pa viktima.
“Një ulje urgjente ose një zbritje e papritur nuk do të thotë katastrofë. Në të vërtetë, kjo do të thotë që sistemi i sigurisë po bën pikërisht atë për të cilën është ndërtuar,” shpjegon ai. /GazetaExpress/