BallinaLajmeKosova është zhytë në një primitivizëm të thellë politik

Kosova është zhytë në një primitivizëm të thellë politik

Të ngjajshme

Shkruan: Ndue Ukaj

Kosova është zhytë në një primitivizëm të thellë politik, me pasoja fatale, dhe kjo gjendje, njeriun normal, do të duhej ta shqetësonte edhe sikur të ndodhte në një cep tjetër të botës.

Zhurma dhe mendimet e cekëta, që prodhojnë moskuptim e urrejtje, e kanë paralizuar jetën normale, sidomos në fushën e politikës, ku duket sikur të ketë rënë dergja mendore.

Një dergjë, kundër të cilës angazhohej eruditi Pjetër Bogdani, me pendë e me pushkë, në shekullin shtatëmbëdhjetë, kur shqiptarët i sundonin barbarisht të huajt.

Sot, ata nuk kanë sundimtarë të huaj, por vuajnë nga dergja e brendshme, e injorancës, e një mjegulle mendore, prej të cilës kërkojnë dinë të gjejnë shtegdalje.

Të vjen keq kur e sheh një vend, që para pak vitesh ishte aq i dhënë pas demokracisë perëndimore, e kishte lider të klasit të lartë, si Ibrahim Rugova, që luftonte për këto vlera i palëkundur, si ka ra preh e një tufë mendjekëqijsh, që gëzohen se u duartroket mediokriteti. Këta cekëtinat, janë duke e tërheqë vendin tonë nga një stinë e zezë drejt një stine edhe më të zezë.

Secili njeri normal, që i sheh këto rrjedha kaq jo normale, e pyet veten se ku janë rrënjët e kësaj krize, dhe nuk ka sesi t’i shmang arsyet kulturore nga përgjigjja.

Po, problemi i sotëm i Kosovës parasgjithash është problem i thellë kulturor, i një krizë idenitare që po ulërin e po bërtet, por përballë së cilës, njerëzia janë shurdhuar.

Është tragjike kur një shoqëri e zëvendëson dialogun me monolog.

Shoqëria jonë e ka bërë një gjë të tillë.

Dhe kështu po rrezikon të rrëshqet në anarki. Ose veç ka rrëshqit në anarki.

Dhe kur përmendi fjalën anarki, më kujtohet Vangjel Koça, një mendimtar i thukët e europian i klasit të lartë, që vuante pse i shihte shqiptarët e çakërdisur, prandaj thoshte se shpirti i shqiptarit, ka qenë përherë anarkist dhe nuk ka njohur ide shteti.

Këtë vuajtje e përjeton, sot, secili njeri me ndjeshmëri për vendin e vet dhe që ka një parë mend në krye të vet dhe nuk i ka depozituar në një oborr politik.

Natyrisht, këtu nuk bëjnë pjesë mëndje tredhurit, që lirinë e tyre nuk e shohin jashtë konopit ideologjik e përkufizimeve të cekëta politike, që marrin jetë përmes kulturës së britmave e thashethemeve, nëpër kafe e çajtore ku gëlon injoranca.

Iluministi i madh Vangjel Koça, paaftësinë shqiptare, nuk e përkëdhelte, por e qortonte, por e godiste ashpër, pamëshirshëm, duke i kërkuar arsyet në sfidonin tragjik historik, dhe për rrjedhojë, kërkonte kthjellje mendore.

Për kthjellje mendore sot në vendin tonë pakkush e çan kryet, përkundrazi, stimulohet e mirëmbahet pështjellja mendore, cektësia e gulçimet.

Prandaj, Kosova sot është një mishmash ngatërresash e pështjellimesh, një lëmsh të cilit askush nuk ia di fillin e për fat të keq, të cilit, pakkush dëshiron t’ia gjej fillin.

A doni me ditë si na sheh bota sot?- kështu do të na pyeste Faik Konica po të ishte në Prishtinë.

Ai përgjigjen e ka dhënë qëmoti dhe asaj nuk mund t’i heq asnjë fjalë:

“Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.”

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz