Deputeti i LDK-së, Anton Quni, në dyvjetorin e rënies së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka theksuar se rënia e tij përballë një grupi terrorist të armatosur rëndë është “një dëshmi e guximit dhe sakrificës së pamasë për mbrojtjen e atdheut”.
Në një prononcim për Lajmi.net, Quni tha se kjo ngjarje ka lënë një plagë të thellë “jo vetëm te familja e tij, por te i gjithë shteti i Kosovës”.
Ai theksoi se rënia e Afrim Bunjakut duhet të mbetet një kujtesë e përhershme për nevojën e përkushtimit dhe vigjilencës ndaj sigurisë dhe sovranitetit të vendit.
“Rënia e Afrim Bunjakut duhet të shërbejë si një kujtesë e vazhdueshme se siguria dhe sovraniteti i Kosovës kërkojnë vigjilencë dhe përkushtim të përhershëm”, tha Quni.
Deputeti kërkoi që institucionet e sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës, të vazhdojnë të forcohen me trajnime dhe pajisje të nevojshme, duke theksuar se ngjarja e Banjskës nxori në pah rreziqet reale me të cilat përballen uniformat e shtetit çdo ditë.
“Policia e Kosovës, si dhe të gjitha institucionet e tjera të sigurisë, duhet të vazhdojnë të forcojnë kapacitetet e tyre, të trajnohen dhe të pajisen me mjetet e nevojshme për t’u përballur me çdo kërcënim. Rënia e Bunjakut nxori në pah rreziqet me të cilat përballen çdo ditë uniformat e shtetit”, tha ai.
Quni theksoi rëndësinë e unitetit politik përballë kërcënimeve të tilla, duke e quajtur si thelbësore lënien anash të ndarjeve partiake për interesa kombëtare.
“Ngjarja e Banjskës ka dëshmuar rëndësinë e unitetit politik përballë kërcënimeve. Lidershipi politik duhet të lërë anash ndasitë partiake dhe të punojë bashkarisht për interesat kombëtare.”
Ai e quajti sulmin në Banjskë një “kambanë alarmi”, duke theksuar se ishte një sulm i organizuar dhe financuar nga Serbia në territorin e Kosovës. Në këtë drejtim, Quni tha se masat për rritjen e sigurisë, sidomos në veri të vendit, janë jetike, dhe se roli i inteligjencës dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të intensifikohet.
“Sulmi në Banjskë shërbeu si një kambanë alarmi për të gjithë… Policia e udhëhequr nga inteligjenca dhe rritja e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë janë thelbësore për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.”
Më tej, Quni i bëri thirrje institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar që të trajtojnë me seriozitet përgjegjësinë e Serbisë për këtë akt terrorist.
“Përgjegjësia e Serbisë, e cila ka strehuar dhe mbështetur autorët e sulmit, duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur nga autoritetet e Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Edhe pse disa vende kanë dënuar sulmin, reagimi ndërkombëtar, veçanërisht nga disa aleatë të rëndësishëm, mund të kishte qenë më i vendosur dhe i qartë në dënimin e Serbisë për rolin e saj destabilizues”, tha Quni për lajmi.net
Sipas tij, edhe pse disa vende kanë dënuar sulmin, reagimi ndërkombëtar ka qenë i dobët, dhe jo aq i vendosur sa do të duhej për të ndalur rolin destabilizues të Serbisë.
Deputeti i LDK-së përfundoi duke theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të punojë me diplomaci aktive dhe të fortë për të ekspozuar veprimet e Serbisë dhe për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera.