back to top
Tuesday, September 23, 2025
BallinaLajmeGjykata Supreme refuzon ankesën e VV-së kundër Listës Serbe për parullën “Svi...

Gjykata Supreme refuzon ankesën e VV-së kundër Listës Serbe për parullën “Svi za brata Milana” për mungesë të provave objektive

Të ngjajshme

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me një parullë të përdorur nga Lista Serbe gjatë hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Në vendimin e saj të datës 22 shtator 2025, Kolegji i përbërë nga gjyqtarët Delushe Halimi (kryetare), Rrustem Thaçi dhe Franciska Zhitija-Ymeri, konstatoi se nuk ka prova të qarta dhe bindëse që parulla “Svi za brata Milana” (Të gjithë për vëllain Milan) i referohej Milan Radojiçiqit, i shpallur në kërkim për sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023, siç pretendonte Vetëvendosje, transmeton lajmi.net.

LVV kishte kërkuar që Lista Serbe të shpallej fajtore për nxitje të urrejtjes, duke e konsideruar përdorimin e kësaj parulle si glorifikim të terrorizmit, për shkak të emrit “Milan” dhe lidhjes së tij me Radojiçiqin. Ata i referuan edhe një fletëarresti të vitit 2025 ndaj tij për krime lufte, përfshirë vrasjen e 106 civilëve shqiptarë në luftën e viteve 1998-1999.

Por sipas Gjykatës Supreme dhe PZAP-it, Vetëvendosje nuk ofroi dëshmi të mjaftueshme për të vërtetuar se parulla lidhej me Radojiçiqin dhe jo me kandidatin zyrtar të Listës Serbe për Mitrovicën e Veriut, Milan Radojeviq, emri i të cilit figuron në fletëvotimin zyrtar të KQZ-së.

“Në mungesë të provave objektive, Gjykata nuk mund të pranojë si të mjaftueshme perceptimet apo interpretimet subjektive të palës ankuese,” thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata gjithashtu ka theksuar se përdorimi i emrit “Milan” nuk përbën, në vetvete, shkelje të nenit 34 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që ndalon përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe materialeve që nxisin dhunë ose urrejtje gjatë fushatës.

Në këtë mënyrë, Gjykata e ka vlerësuar si të drejtë dhe të ligjshme vendimin e PZAP-it, duke konfirmuar se nuk ka ndodhur ndonjë shkelje e Kodit të Mirësjelljes nga ana e Listës Serbe, dhe ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Vetëvendosjes./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz