Donald Trump publikoi një video të re në Truth Social të premten për një sulm amerikan që sipas tij vrau tre “narko-terroristë” në bordin e një motoskafi që transportonte drogë të destinuar për tregun amerikan.
Presidenti amerikan është referuar tashmë në javët e fundit për të paktën tre sulme kundër anijeve që sipas tij i përkisnin trafikantëve të drogës. I pari, më 2 shtator, rezultoi në vdekjen, tha ai, të 11 personave në Karaibe.
SHBA-të vendosën asete ushtarake atje në emër të luftimit të trafikut të drogës dhe sulmi i dytë, disa ditë më vonë, vrau “tre narko-terroristë” të tjerë nga Venezuela, sipas Trump.
Të martën, republikani iu referua një anijeje të tretë që u eliminua, por pa dhënë detaje ose pa publikuar video të sulmit.
Forcat e armatosura amerikane nisën një sulm kundër “një anijeje të lidhur me një organizatë terroriste”, shkroi presidenti amerikan dje, pa sqaruar se ku ndodhi ose pa përmendur Venezuelën, si në dy rastet e mëparshme.
“Agjencitë e inteligjencës konfirmuan se anija mbante drogë dhe po lundronte përgjatë një korridori të njohur të trafikimit të drogës, në rrugën për të helmuar amerikanët”, vazhdoi presidenti, duke shtuar se ishte “në ujëra ndërkombëtare”.
Duke pohuar se dëshiron të godasë kartelet e drogës, Uashingtoni ka dërguar shtatë anije luftarake dhe një nëndetëse në Karaibe, një tjetër anije luftarake në Paqësor, avionë luftarakë dhe avionë transporti në Porto Riko…
Qeveria amerikane akuzon presidentin venezuelian, Nicolas Maduro se është kreu i një rrjeti trafikimi droge, “Kartelit të Diejve” (Cártel de los Soles), megjithatë, vetë ekzistenca e një organizate të tillë është objekt kundërakuzash. Në verë, ajo SHBA dyfishoi shpërblimin që ofron për informacionin që çon në arrestimin e tij, në 50 milionë dollarë.
Presidenti Maduro, nga ana e tij, denoncon një “plan imperialist për ndryshimin e regjimit për të imponuar një qeveri kukull të kontrolluar nga SHBA-ja” në shtetin latino-amerikan që prodhon naftë.