Alejandro Gómez Arias – (1906–1990), i dashuri i parë i Fridës. Më 17 shtator 1925, ata ishin bashkë kur një tramvaj ishte përplasur me autobusin e tyre. Frida ishte lënduar rëndë dhe kjo ia kishte ndërruar rrjedhën e jetës.
13 tetor 1925
Aleksi i jetës sime:
Ti e di më mirë se kushdo tjerër se sa e trishtuar kam qenë në këtë spital, duke qenë se ti mund ta marrësh me mend dhe shpresoj po ashtu të të kenë treguar djemtë. Të gjithë më thonë të nos dëshpërohem; por ata nuk e dinë se çka do të thotë për mua të qëndroj në shtrat për tre muaj, çka do të më duhet ta bëj, mua që gjithë jetës sime kam qenë një mace arrakate e klasës së parë, po çfarë më mbetet të bëj tash, kur pelona1nuk po më merr me vete. Si thua ti?
Imagjinoje ankthin që kam pasur duke mos e ditur se ishe atë ditë dhe të nesëmren; pasi që unë u operova erdhën Salas dhe Olmedo; ishte gjë e mirë pa asnjë mëdsyhje t’i shihja ata! Posaçërisht Olmedon, idenë s’e ke; i pyeta për ty dhe më thanë se ajo që kishte ndodhur ishte shumë e dhimbshme, por jo serioze dhe ti nuk e di se sa shumë kam qarë për ty, Aleksi im, në të njëjtën kohë p;r shkak të dhimbjeve të mia, ngase, po ta them unë, gjatë tretmaneve të para duart e mia i ndieja si letër dhe po djersiaj nga dhimbjet e plagëve… të cilat vinin drejtpërdrejt nga kofshet e mia dhe nga balli im; isha katandisur në një rrënojë për gjitjë pjesën e mbetur të jetës sime dhe gati se e vdekur, por tash ka marrë fund, njëra plagë është mbyllur dhe doktori më ka thënë se do ta mbyllë edhe tjetrën. Duhet të ta kenë shpjeguar edhe ty, apo jo? Dhe do të jetë pastaj në dorën e kohës për frakturën e komblikut tim që të ngjitet, për bërrylat e mi që të përmirësohen dhe për plagët e tjera të vogla në këmbën time që të shërohen…
Një ‘turmë njerëzish’ dhe një ‘re tymi’ kanë ardhur të më vizitojnë, edhe Chucho Rios y Valles ka pyetur për mua disa herë në telefon dhe më thanë se bile edhe ka ardhur këtu njëherë, por unë nuk e kam parë. Ma thonë të njëjtën gjë edhe për Luis de la Urra, por dyshoj në këtë, ngase as ai nuk është ngjitur lart tek unë. Nelson Furbeck është lutur fort për mua. Fernandezi ende po më jep ngapak para dhe doli se kam talent për vizatim edhe më shumë se më herët, duke qenë se po më thotë se pasi të bëhem më mirë do të më paguajë 60 në javë (fjalë boshe, sidoqoftë), e gjithë banda e fshatit vijnë të më vizitojnë për çdo ditë, Señor Rouaix madje nisi të qante, babai, eh, nuk mendoj se ishte i biri, e pra, mund ta marrësh me mend edhe sa të tjerë. Alejandro Elguezabal dhe Carmen Jaime kanë ardhur po ashtu, ndërsa Salas nuk e ka huqur as edhe një ditë. Ti nuk e di sa mirënjohëse i jam, ashtu si edhe Olmedos.
Por do të jepja gjithçka, në vend të njerëzve nga Coyoacán dhe në vend të të gjitha grave të moshaura që po ashtu kanë ardhur, sikur të vije ti një ditë. Mendoj se ditën që do të të shoh, Aleks, do të të puth, s’kam nga t’ia mbaj tjetër; tash e shoh më mirë se sa më parë se sa shumë të dua me tërë shpirtin tim dhe nuk do të të ndërroj me askënd; ti e sheh se si të vuash diçka ia vlen përherë.
Gjymtimit tim fizik, megjithëse siç i thashë Salasit nuk mendoj se është serioze, i është shtuar një vuajtje e madhe emocionale, duke qenë se ti e di sa e sëmurë ishte mamaja ime, ashtu si edhe im atë, dhe t’ua shtoj tash edhe këtë më lëndon më shumë se sa dyzet plagët e mia; veç merre me mend, mamaja ime e shkretë thotë se ka qarë si e marrë tri ditë me radhë dhe babai im, që ishte duke u bërë më mirë, ra i sëmurë rëndë.

E kanë sjellë mamanë time të më shohë vetëm dy herë prej se jam këtu, 25 ditë sot, që më është dukur si një periudhë e përjetshme, dhe im atë vetëm njëherë; pra dua të shkoj në shtëpi sa më shpejt që të jetë e mundshme; por kjo s’do të jetë e mundshme derisa të ulen ënjtjet krejtësisht dhe të shërohen të gjitha plagët, që do të thotë se atëherë s’do të ketë mundësi të infektohen dhe unë pra nuk do të përfundoj e… rrënuar.
Çka mendon ti?
Për çdo rast, nuk ma ha mendja se do të zgjasë më shumë se një javë. Do të të njoftojnë djemtë. Nëse ti nuk mund të bësh mrekullinë që të paraqitesh të enjten, këtu a atje, unë do të të pres. Po i numëroj orët derisa po të pres kudo që të jetë, këtu a në shtëpi, sepse pasi që të të shoh ty, muajt në shtrat do të kalojnë më shpejt.
Dëgjo, Aleksi im, nëse ende nuk mund të vish, më shkruaj atëherë. Nuk mund ta dish sa shumë më ka ndihmuar letra jote që të ndihem më mirë, mendoj se e kam lexuar nga dy herë në ditë prej se e kam marr dhe çdoherë më duket skur është hera e parë që po e lexoj. Kam një mori gjërash të të tregoj, por nuk mund t’i shkruaj, sepse ende jam bukur e ligë, koka dhe sytë më dhembin kur lexoj ose shkruaj shumë, por do të t’i tregoj së shpejti.
Që të ndryshojmë temë, jam aq e uritur sa s’e merr dot me mend… dhe nuk po mund të ha asgjë, përveçse ca gjërave të pashijshme, kështu që po të paralajmëroj, kur të vish, sillmi ca ëmbëlsira dhe një balero2 si ajo që e kemi humbur. Që ti të bëhesh më mirë së shpejti, unë do të rri edhe pesëmbëdhjetë ditë të tjera në këtë spital.
Ma thuaj si është mamaja jote e lezetshme dhe Alicia.
Shënime:
1) La pelona – Një grua tullace, personifikim i vdekjes.
2) Balero – lodër tradicionale meksikane.
/Marrë nga Frida Kahlo, ‘Love Letters’, Frances Lincoln, 2025
/PërkthimiË Gazeta Express