Igor Tudor dhe Juventusi morën lajme pozitive të enjten, pasi anësori Francisco Conceição është rikthyer në stërvitje të plotë me pjesën tjetër të skuadrës së parë dhe sipas përditësimeve të fundit është në garë për të qenë i gatshëm për ndeshjen e Serie A këtë fundjavë.
Conceição u detyrua të largohej nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë gjatë pushimit ndërkombëtar të shtatorit dhe nuk arriti të merrte pjesë në dy ndeshjet e fundit të Juventusit, të dyja të mbushura me gola: fitorja 4-3 në Derby d’Italia ndaj Interit dhe barazimi spektakolar 4-4 kundër Borussia Dortmund në Ligën e Kampionëve.

Anësori u përfshi në listën e zëvendësuesve për ndeshjen kundër Dortmundit të martën mbrëma, megjithëse nuk kishte stërvitur plotësisht para nisjes së ndeshjes. Siç pritej, ai nuk u aktivizua.
Megjithatë, sipas raportimeve nga disa media përfshirë TMW dhe Ilbianconero, Conceição stërviti plotësisht me skuadrën e parë të Juventusit të enjten dhe tashmë synon një vend në formacion për ndeshjen e së shtunës kundër Hellas Verona.
Në mungesë të tij, Tudor zgjodhi të shtonte një mesfushor shtesë, Teun Koopmeiners, në fitoren 4-3 ndaj Interit fundjavën e kaluar, ndërsa në përballjen 4-4 kundër Dortmundit vendosi Jonathan David për të zëvendësuar rolin e Conceição-s.
Kujtojmë së portugezi luan në të njëjtën pozitë në krahun e djathtë si sulmuesi i Kosovës, që sivjet u transferua në Juventus, Edon Zhegrova.
Ndërkohë, Fabio Miretti vazhdon të stërvitet individualisht, ndërsa Arkadiusz Milik mbetet jashtë për shkak të një dëmtimi afatgjatë. /GazetaExpress/