Dëshmitë e fundit në Hagë të dy zyrtarëve të lartë amerikanë, James Rubin dhe Paul Williams, kanë marrë jehonë në Kosovë, duke u vlerësuar si thelbësore në mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe krerëve të tjerë të UÇK.
Qasja dhe mesazhet e tyre janë cilësuar si kthesë në procesin gjyqësor dhe si dëshmi që shkojnë përtej aspekteve ligjore.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati për Lajmi.net i ka përshkruar këto dëshmi si një “rikthim në binarët e drejtë” për Gjykatën Speciale.
“Të dy janë njerëzit tonë, janë miqë të shteti tonë të pavarësisë dhe UÇK-së. Rubnin ju e patë edhe vet dëshminë e tij që ishte shumë i sinqertë, shumë e drejtë, jo pse ne po kem dëshirë të themi ashtu por ashtu edhe ka ndodh dhe ai tregoi një realitet – më këtë deklaratë e ka rikthyer për 90 shkallë Gjykatën Speciale në binarë ku duhet të jetë. Edhe Williams dje dhe sot me deklaratat e tij që qenë shumë të mira dhe shumë të favorshme për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së. Unë besoj se ato do të merren parasysh dhe do të shkojë në veshin e duhur, kuptohet nëse ka gjyqtarë të mirëfilltë do ta marrin seriozisht deklaratën e të dyve. Të dy janë shumë mirë, por do ta shohim tani vërdiktin final nga gjykata”, tha Gucati për lajmi.net.
Edhe anëtari i PDK-së dhe ish-deputeti, Hisen Berisha për Lajmi.net e ka vlerësuar me tone të forta mbështetëse rolin e Rubin dhe Williams në këtë proces, duke theksuar se dëshmitë e tyre nuk janë vetëm juridike, por edhe morale dhe politike.
“Dy dëshmitë e para të zyrtarëve të lartë amerikanë në mbrojtje të Presidentit Thaçi kanë rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vijnë nga përfaqësues të një shteti që ka pasur rol vendimtar në çlirimin, shtetndërtimin dhe që sot garanton vetë ekzistencën tonë si shtet. Ato dëshmi ndihmojnë të ndriçohet e vërteta historike, politike dhe juridike e luftës sonë, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcë çlirimtare dhe jo kriminale”, tha fillimisht Berisha.
Ai tutje shtoi se kontributi i zyrtareve te lartë amerikan është i dyfishtë në aspektin juridik por edhe atë historik.
“Kontributi i tyre është i dyfishtë: juridik, në fuqizimin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve, në një proces gjyqësor që duhet të jetë transparent, i bazuar në prova dhe jo në narrativat e fabrikuara nga propaganda serbe; dhe moral/politik, në afirmimin e drejtësisë së luftës së UÇK-së, e cila nuk duhet lejuar të relativizohet nga propaganda serbe apo nga individë me deficit moral e patriotik. Këto dëshmitë shërbejnë për ta vendosur kontekstin e drejtë historik: se ndërhyrja e NATO-s dhe rezistenca e UÇK-së ishin përgjigje ndaj një regjimi gjenocidal. Dëshmitë e tyre janë një sinjal i qartë mbi mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare e sheh raportin midis luftës për liri dhe standardeve të drejtësisë”, tha Berisha për lajmi.net.
Në një deklaratë të fortë që thekson rëndësinë e dëshmive në Hagë, ish-deputeti ka vënë theksin te roli historik dhe kredibiliteti i dy zyrtarëve amerikanë, James Rubin dhe Paul Williams, të cilët po dëshmojnë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Si zëra të njohur të diplomacisë amerikane gjatë viteve ’90, ata përfaqësojnë kujtesën historike për rolin e SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe janë zë i dëshmisë që lidh politikën ndërkombëtare me proceset aktuale gjyqësore. Në këtë kuadër, vlen të theksohet se gjatë dëshmive të tyre në Hagë u nënvizuan disa të vërteta të pamohueshme: akuzat ndaj UÇK-së ishin të fabrikuara nga rusët dhe të sponsorizuara nga serbët; nuk është gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së kanë dashur të ekzekutojnë njerëz; dhe, siç u theksua, Hashim Thaçi gjithmonë ka dëshiruar që Amerika të qëndronte në krah të Kosovës”, tha ai.
Berisha ka vlerësuar lart dëshmitë e James Rubin dhe Paul Williams në Hagë, duke i cilësuar ato si “dëshmi politike dhe morale” që forcojnë legjitimitetin e luftës së UÇK-së.
“Këto deklarata jo vetëm që rrëzojnë narrativat e shpifura kundër luftës çlirimtare, por i japin edhe një bazë më të fortë morale e politike mbrojtjes së saj në çdo instancë ndërkombëtare. Prandaj, dëshmia e tyre nuk është thjesht pjesë e një dosjeje gjyqësore – është dëshmi politike dhe morale. Është kujtesë se lufta e Kosovës nuk ka qenë konflikt i barabartë mes palësh, por luftë mes agresorit dhe viktimës. Është detyrë e institucioneve të Kosovës që ta forcojnë këtë të vërtetë edhe në skenën ndërkombëtare, duke mos e lënë të deformohet nga propaganda. Dhe është obligim i klasës politike të Kosovës që këtë kapital të së vërtetës ta ruajë, ta mbrojë dhe ta shndërrojë në forcë diplomatike”, tha ai.
Për dëshmitë e Rubin dhe Williams ka folur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. Ajo për lajmi.net i ka vlerësuar lartë duke thënë se e kanë mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së
“Unë besoj se dëshmitarët kyq që ishin, dëshmitarët e mbrojtës së ish-presidentit Hashim Thaçi, e kanë bërë një punë teper të mirë sepse e kanë mbrojtur luftën e drejtë dhe të shenjt të UÇK-së dhe krerët e UÇK-së, ata e kanë dëshmu pse janë rreshtu krah UÇK-së, ishte një fjali ku thuhet “u rreshtuam krah engjujve” për shkak të krimeve dhe të masakrave që i ka bërë regjimi i shteti serb, i kanë lartësu figurat e UÇK-së, në këtë rast të z.Hashim Thaçi po edhe të z.Haradinaj, duke e qitë në pah rolin e tyre në luftën e UÇK-së, bashkëpunimin që e kanë pasur me ShBA-të dhe kjo në mënyrë automatike dëshmon sa e shenjtë është lidhja me ShBA-të, se duhet ta ruajm, ta kultivojmë këtë marrëdhënie të shëndosh që kemi pasur me Amerikën, me departamentin e Shtetit, me CIA-në dhe me gjitha ato që i deklaruan. Qitën në pah shumë të drejta sepse ju e keni parë edhe oponentë kosovarë, kohëve të fundit është sulmuar shumë UÇK-ja, u deshë amerikanët të dëshmojnë në tribunalin e Hagës në mënyrë që me e vlerësu në piedestal luftën e UÇK-së duke e thënë qartë se liria dhe pavarësia e Kosovës është meritë e UÇK-së dhe e ShBA-ve. E kanë diskreditu këtë gjykatë duke thënë se pse duhet të mbahen në paraburgim krerët e UÇK-së për 5 vjet derisa nuk kanë pasur akuzat e ngritura dhe e kanë vu në dyshim kredibilitetin e kësaj gjykate duke e cilësuar se kjo gjykatë është formuar me fakte të fabrikuara nga Rusia e Serbia.”, tha ajo.
Dëshmitë e Rubin dhe Williams po shihen jo vetëm si një ndihmë për mbrojtjen e Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij në aspektin ligjor, por edhe si një moment i rëndësishëm për të forcuar narrativën ndërkombëtare mbi drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe legjitimitetin e shtetit të Kosovës./Lajmi.net/