Borxhi i pretenduar paraqet një nga sfidat me të cilat ballafaqohet kombinati metalurgjik “Trepça”. Bëhet fjalë për borxhin e pretenduar nga kreditorë të ndryshëm, që është krijuar gjatë viteve të 90-ta, periudhë kjo kur ky kompleks ishte udhëhequr nga autoritetet e atëhershme serbe.
Ky borxh ka ndryshuar në shifra vit pas viti, duke nisur nga disa milionë e përfunduar në miliarda euro. Kurse, si pretendentë për t’i marrë paratë, që thuhet se janë investuar në Trepçë, kishin dalë firma nga Bullgaria, Greqia, Serbia, e për një kohë edhe nga Franca.
Të gjitha këto pretendime, sipas ish-udhëheqësve të Trepçës, mund të jenë manipulime të ish-regjimit të Beogradit që datojnë që nga koha e Sllobodan Milosheviqit.
Aktualisht, autoritetet e Kosovës nuk japin shumë hollësi rreth numrit të kreditorëve dhe nivelit të borxheve. Por, ata thonë se për këtë borxh deri më tani ka vetëm pretendime.
Drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi, nënjë intervistë dhënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk dihen saktë borxhet, por pretendohet se borxhet e Trepçës karshi kreditorëve janë rreth 1.7 miliard euro.
Megjithatë, në bazë të një analize të bërë nga AKP gjatë këtij viti, thuhet se niveli i borxhit është shumëfish më i vogël se sa pretendohet prej kreditorëve të ndryshëm.
“Procedurat për përcaktimin e nivelit të borxhit ose analiza e kreditorëve, që ne i themi, pretendimet së paku janë se borxhet e Trepçës karshi kreditorëve janë diku rreth 1.6 ose 1.7 miliard euro. Ne e kemi bërë një analizë në muajin prill për borxhet e pretenduara karshi “Trepçës”.
LEXO: Isa Mustafa: Ligji për Trepçën i hapë rrugë zhvillimit
“Është vetëm një analizë e brendshme, që ne nuk kemi dashur ta bëjmë publike, sepse është dizajnuar për nevojat tona dhe e kemi ndarë edhe me akterët tjerë që janë përfshirë në “Trepçë”. Pra, sipas analizave tona, që në asnjë mënyrë nuk janë përfundimtare, niveli i borxhit është shumëfish më i vogël se sa pretendohet prej kreditorëve të ndryshëm”, ka thënë Gashi.
Kohë më parë, në adresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishin arritur disa kërkesa të kreditorëve pretendues, por që ende nuk është publikuar numri i pretendueseve dhe as shumat sa kërkojnë.
Ish-drejtori i Trepçës, Halil Qela, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për kreditorët të cilët ishin paraqitur në atë kohë. Ai flet edhe për shifrat e ndryshme që janë paraqitur, si borxhe të pretenduara.
“Menjëherë pas luftës na është thënë që borxhi është diku rreth 40 milionë dollarë, por vit pas viti, duke i bërë presion Trepçës, ajo vlerë është rritur në miliardë.”
“Shtrohet pyetja çka po ndodh, kush janë ata që ka bërë vlerësimet e këtyre kredive të pretenduara?! – Dihet se ato kredi janë bërë në kohën e okupimit dhe si të tilla nuk ka ndodhur asnjë investim, janë kredi të manipuluara nga ish qeveria e Sllobodan Millosheviqit dhe po keqpërdoren edhe sot”, ka theksuar Qela.
Kreditorët pretendentë të Trepçës, që siç thotë Qela, janë paraqitur gjatë viteve të pasluftës, kanë qenë kompani nga Bullgaria, kompani greke, serbe dhe një kompani franceze, e cila më pas ishte tërhequr.